
Katër të rinj, mes tyre dy të mitur, kanë rënë në prangat e policisë në Tiranë, të akuzuar si autorët e disa vjedhjeve.
Mësohet se këta persona kanë vjedhur artikuj të ndryshëm me vlerë 80.000 lekë në dy raste, në një tabakino. Policia ka publikuar dhe videon e një nga vjedhjeve, ku shihet se gjatë natës, të rinjtë thyejnë derën e biznesit dhe marrin artikujt.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Tabachino”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes.
Zbardhen 2 vjedhje të kryera me thyerje në të njëjtën tabakino, dje dhe disa ditë më parë.
Identifikohen 4 autorët e dyshuar. Vihen në pranga 2 prej tyre, procedohen penalisht 2 të tjerët.
Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës/pasurisë, identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Tabachino”, për zbardhjen e 2 rasteve të vjedhjes në një tabakino.
Si rezultat i operacionit janë identifikuar 4 autorët e dyshuar, shtetasit: E. S., 22 vjeç dhe A. A., 19 vjeç, të cilët janë kapur dhe vënë në pranga, dhe 2 shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç, për të cilët ka nisur procedimi në gjendje të lirë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datat 16.07.2025 dhe 30.06.2025, kanë vjedhur artikuj të ndryshëm me vlerë rreth 80 000 lekë, në tabakinon e shtetases B. K.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.