
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot rikthimin e tavolinave dhe karrigeve të bareve dhe restoranteve, ndërsa paralelisht vazhdon prishja e atyre ekzistuese.
Shefi i qeverisë tha në një njoftim publik se “për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit”.
Rama thotë se nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik.
Ndërsa njofton edhe se po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0 për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara.
Kryeministri thotë se “puna nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenomen dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura jo e jo…”. /noa.al