
VLORË- Ish-kryebashkiaku socialist i Vlorës, me anë të një statusi në rrjetet sociale ka dalë kundra marrjes se 834 hektarëve tokë në Kaninë për të ndërtuar një central gjigand diellor. Në reagimin e tij Gjika ka treguar një histori se si toka, që qeveria po synon të tjetërsojë me projektin e parkut fotovoltaik, i mbijetoi edhe planeve të regjimit komunist për tu kthyer në tokë bujqësore.
Konkretisht Gjika, ka treguar një moment kur gjyshi i tij, Xhebro Gjika, atëherë drejtor i Fermës Blegtorale të Vlorës, u përball me një vendim absurd të qeverisë shndërrimin e kullotave të Malit të Shashicës në ara me patate për prodhimin e bukës.
Gjika më tej thekson se gjyshi i tij Xhebrua, jo vetëm si drejtor, por edhe si blegtor dhe njohës i mirë i atyre anëve, e mbi të gjitha për shkak të karakterit të tij të drejtë e burrëror, e kundërshtoi me bindje vendimin absurd.
Reagimi i Shpetim Gjikës
Diku aty rreth viteve ’60 në mos gaboj, im gjysh, Xhebro Gjika, ishte drejtor i Fermës Blegtorale të Vlorës. Në atë kohë Partia dhe Qeveria, ndoshta për shkak të krizës ekonomike apo edhe mbase për aryse të mungesës së informacionit se për çfarë përdoreshin kullotat e Malit të Shashicës, vendosën arbitrarisht t’i prishnin ato dhe u dha urdhër të mbilleshin me patate për prodhimin e bukës.
Xhebrua, jo vetëm si drejtor, por edhe si blegtor dhe njohës i mirë i atyre anëve, e mbi të gjitha për shkak të karakterit të tij të drejtë e burrëror, e kundërshtoi me bindje vendimin absurd.
Vetë Mehmet Shehu, kryeministër i asaj kohe, por edhe shok lufte e mik me Xhebron, zbriti nga Tirana në Vlorë për ta takuar e për t’u fjalosur me të. Pasi përshëndoshen e këmbejnë fjalët e para, Mehmeti hap çantën dhe i jep Xhebros një copë bukë të bardhë.
-Provoje xha Xhebro, i thotë, është bukë e bërë nga patatja dhe më thuaj është e mirë apo jo? E fut një kafshatë Xhebroja në gojë dhe pas pak bën sikur mbytet, e i bën me shenjë çobanit aty afër, i cili shpejt e shpejt i sjell një sapllak me qumësht.
E piu, kaptoi me të bukën me patate dhe pasi fshiu me të prapmen e dorës buzët e mustaqet i thotë Mehmetit:
-E mirë buka, e mirë. Por siç e pe nuk shtyhet poshtë pa një cikë qumësht! Zoti dhe natyra na kanë falur Shashicën për kullota e blegtori, fushat e Myzeqesë për grurë e patate.
Nuk di ta them a ndikoi apo jo ky episod, që Shashica të mbetej ashtu si është deri më sot, pyje e kullota natyrore panoramike, një potencial turistik dhe ekologjik.
Deri më sot!
Mbase edhe nesër.
