
Janë publikuar pamjet nga momenti i arrestimit të Flodian Plakut, i cili u vu në pranga nga Forcat Operacionale të Vlorës, si i dyshuar kryesor për vrasjen e Gentjan Bejtjas më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë të Fushë Krujës.
Në fotot e siguruara shihet Plaku i prangosur nga dy policë, teksa mban në qafë një varëse të trashë floriri dhe syze dielli, duke tërhequr vëmendjen me veshjen e tij.
Sipas policisë, Plaku dyshohet të ketë qenë një nga tre atentatorët e vrasjes së Bejtjas, duke vepruar si vrasës me pagesë dhe duke qenë pjesë e grupeve kriminale të Vlorës.
Hetimet zbuluan se autorët e ngjarjes u afruan në banesën e Gentjan Bejtjas me një “Land Rover Discover” të zi. Pas ekzekutimit, ata u larguan me të njëjtin automjet, i cili më pas u dogj në fshatin Hasan.
Një muaj pas ngjarjes, Plaku u largua në Serbi, ku qëndroi 11 orë para se të rikthehej në Shqipëri përmes Rinasit. Në automjetin “Golf 7” janë gjetur 12 gjurmë gishti që lidhen me hetimet.
Policia ka identifikuar edhe automjetin “Volkswagen Golf” me targë AB960GG, në pronësi të Edison Haxhiut, i përdorur nga Ilir Beqaraj, i arrestuar më parë si i përfshirë në organizimin e atentatit ndaj Bejtjas.
Hetimet për rastin vazhdojnë, ndërsa arrestimi i Plakut është një hap kyç drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe rrjetit kriminal pas saj.