
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale një video që dokumenton vijimin e aksionit për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Durrësit.
Në postimin e tij, Rama thekson se ky proces është pjesë e projektit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të përmirësojë cilësinë e jetës komunitare dhe të rrisë përmasën e hapësirave të gjelbra në qytetet e mëdha të Shqipërisë.
“Edhe në Durrës vazhdon çlirimi i hapësirave publike, për t’i hapur rrugën Rilindjes Urbane 2.0 që do të rrisë cilësinë e jetës komunitare dhe përmasën e gjelbër të qyteteve tona të mëdha, ku do të rivendoset qartë kufiri mes lirisë publike për të lëvizur e marrë frymë lirisht dhe të drejtës për aktivitet ekonomik të subjekteve private, gjithnjë në respekt të komunitetit,” shkruan Rama në postimin e tij.
Ky aksion pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa autoritetet lokale theksojnë nevojën për një balancë të qartë mes interesave publike dhe private në mjediset urbane.