
Pas 5 ditësh pa informacion për të afërmin e tyre, ngjarja misterioze e humbjes së një 27-vjeçari nga Tirana nga një hotel në Dhërmi ka marrë një kthesë pozitive.
Pesë ditë pasi denoncoi humbjen e të vëllait të tij 27-vjeçar nga hoteli ku po qëndronin në Dhërmi, ka qenë përsëri 24-vjeçari K.Z., i cili është paraqitur në polici ditën e djeshme duke thënë se tashmë vëllai i humbur, 27-vjeçari A.Z., është kthyer në banesë pranë familjarëve të tij, pa probleme.
“U referuan materiale shtesë për vlerësim, pasi është kthyer në banesë pranë familjarëve të tij, pa probleme, shtetasi A.Z., 27 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin kishte kallëzuar vëllai i tij se kishte humbur kontaktet prej datës 02.08.2025, në Dhërmi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Por si ndodhi ngjarja, ndërsa motivet mbeten ende mister?
Ngjarja misterioze ndodhi me datë 2 gusht, kur në një hotel në Dhërmi u zhduk i riu 27-vjeçar nga Tirana.
Sipas njoftimit të Policisë, denoncimi për humbjen u bë nga vëllai i tij, 24-vjeçari K.Z.
Policia njoftoi se bëri shpalljen në kërkim të shtetasit A.Z., 27 vjeç, dhe po punonte intensivisht për gjetjen e tij.