
Në kryeqytet, policia raporton se çdo ditë të paktën dy qytetarë paraqiten duke denoncuar se janë viktima të mashtrimeve kompjuterike. Megjithatë, numri i rasteve mund të jetë edhe më i lartë ditët e fundit, ndërsa problematika po merr përmasa serioze.
Sipas të dhënave të Policisë së Tiranës, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2025 janë regjistruar 219 raste mashtrimi kompjuterik, një shifër më e ulët në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 249 raste. Megjithatë, numri i autorëve të dyshuar mbetet shqetësues. Nga 246 persona të dyshuar, 108 prej tyre janë ende në kërkim aktiv, ndërsa vetëm 26 janë arrestuar dhe 112 po procedohen në gjendje të lirë.
Rastet e mashtrimeve online përmes rrjeteve sociale mbeten më të shpeshtat dhe shqetësueset. Kjo përfshin vjedhjen e të dhënave bankare, ndërhyrje të paautorizuara në llogari personale dhe krijim profilash të rreme në rrjete sociale. Së fundmi, tre persona në Tiranë denoncuan krijimin e profileve të rreme, ndërhyrje në email dhe keqpërdorim të videove personale.
Policia ka zbuluar gjithashtu rrjete të rinjsh që përdorin faqe false në internet për të mashtruar viktimat dhe për të përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, kryesisht përmes blerjeve online me të dhënat e vjedhura.
Autoritetet bëjnë apel për kujdes të shtuar ndaj çdo lloj komunikimi online dhe për denoncimin e menjëhershëm të çdo veprimi të dyshimtë.