
Një zjarr shkatërrues në një fabrikë industriale në rajonin e Ryazanit, në juglindje të Moskës, ka shkaktuar humbjen e jetës së 11 personave dhe ka lënë të plagosur më shumë se 130 të tjerë. Ngjarja ndodhi në kompleksin “Elastik” në zonën Shilovsky, ku dyshohet se shpërthimi erdhi si pasojë e zjarrit në një punishte baruti brenda objektit.
Ekipet e shpëtimit vazhduan punën intensive gjatë fundjavës, duke gjetur edhe dy trupa të tjerë nën rrënoja gjatë natës. Sipas autoriteteve, 29 nga të plagosurit janë ende të shtruar në spitale – një pjesë në Ryazan dhe të tjerët të transferuar për trajtim në Moskë.
Tre persona janë shpëtuar gjallë nga rrënojat, ndërkohë që hetimet për shkaqet e ngjarjes së rëndë janë në vazhdim. Autoritetet lokale kanë shpallur ditë zie në të gjithë rajonin për të nderuar viktimat.