
Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Xhesion Toromenin, 25 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes së Besmir Kumrias në fshatin Kryekuq, Divjakë, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa i riu pranoi krimin në sallën e gjyqit dhe u shpreh i penduar për veprimin e kryer.
“Mu errën sytë kur pashë Besmirin të ulur në kafe. Më kapi inati dhe mu kujtua rrahja që i kishin bërë babait disa vite më parë. Nxora biçakun nga xhepi dhe e godita. E ndiej që kam gabuar”, – është shprehur Toromeni para trupit gjykues.
Krimi për ujë, inat i vjetër dhe konflikte mes fqinjëve
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur për motive banale, të lidhura me përdorimin e ujit për vaditje nga një kanal i përbashkët, çështje që kishte krijuar konflikte të hershme mes dy familjeve, të cilat ishin komshinj në fshat.
Po ashtu, mësohet se viktima dhe autori kishin pasur edhe përplasje të mëparshme fizike, përfshirë një rast kur i ati i Toromenit ishte rrahur disa vite më parë, çka dyshohet të ketë ndikuar në motivin e vrasjes.
Krimi ndodhi një ditë pas kthimit nga Italia
Sipas hetimeve, Xhesion Toromeni kishte mbërritur në Shqipëri ditën e hënë, ndërsa vrasjen e kreu të martën në mbrëmje, vetëm një ditë pas kthimit nga Italia.
Krimi është kryer me thikë (biçak), që autori e mbante me vete në xhep në momentin e ngjarjes.
Materialet hetimore janë në fazën fillestare dhe Prokuroria e Fierit po vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin përfundimtar të akuzave ndaj të dyshuarit.