
Adrien Rabiot është lojtari më i ri i Milanit, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij pas eksperiencës te Marsej. Mesfushori francez u prezantua zyrtarisht me kuqezinjtë dhe foli për emocionet e para, ambiciet personale dhe rikthimin e bashkëpunimit me trajnerin Masimiliano Allegri. “Kam një lidhje të fortë me trajnerin, ai më shpjegoi menjëherë projektin e Milanit. Nuk kisha dyshime, ky është një prej klubeve më të mëdha në botë,” tha Rabiot.
Francezi e vlerësoi ambientin kuqezi dhe u shpreh i motivuar për objektivat e sezonit: “Dua të shënoj të paktën 10 gola dhe të ndihmoj skuadrën që të rikthehet në Champions dhe të luftojë për Skudeton. Kam fituar shumë më parë, por Milani është vendi ideal për të rikthyer energjinë dhe për të ndërtuar një projekt të madh.”
Për debutimin e mundshëm kundër Bolonjës, Rabiot tha se ndihet i gatshëm: “Nëse trajneri vendos, do të hyj në fushë për të dhënë gjithçka.” Ai shtoi se San Siro është një stadium magjik dhe shpreson të shënojë gola që t’u japin kënaqësi tifozëve kuqezi. Me Rabiot, Milani fiton eksperiencë, ambicie dhe energji të re në mesfushë.