
Pogradec, 17 Shtator 2025 – Një 18-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pas një aksidenti rrugor të ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Pogradec–Qafë-llocë.
Sipas të dhënave paraprake, i riu dyshohet se ka humbur kontrollin e motorit dhe është rrëzuar në rrugë, duke pësuar dëmtime të rënda trupore.
I plagosuri është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pogradecit, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën. Mjekët po bëjnë përpjekje për stabilizimin e tij, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e transferimit drejt një spitali të specializuar.
Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit.
Segmenti Pogradec–Qafë-llocë njihet për kthesa të forta dhe mungesë ndriçimi në orët e mbrëmjes, çka e bën veçanërisht të rrezikshëm për drejtuesit e mjeteve me dy rrota.
