
Adriatik BALLA
Lojtarët e përfaqësueses po kalojnë momente të mira me ekipet e tyre dhe një pjesë janë protagonistë, duke spikatur me gola e asiste sikurse janë Gripshi e Seferi, por ka edhe të tjerë që munguan në duelet e rëndësishme në kmapionatet e tyre për shkak rregulloresh për të hajt, sikurse ndodhi me Mario Mitajn.
Seferi dy asiste në fitoren e thellë të Bodrumsporit
Taulant Seferi ka asistuar dy gola sot për Bodrum, ndërsa përballë kishte Manisën. Sulmuesi i Kombëtares i dha fillimisht një top të shkëlqyer Dumanlit në minutën e 47-të, i cili edhe e falenderoi. Më pas bëri të njëjtën gjë për Brazaon, vetëm katër minuta më vonë. Kështu Bodrum shkoi në avantazh 0 me 3 në transfertën e Manisës. Seferi po shkëlqen këtë sezon në Ligën e Parë turke. Përpos pesë golave ka edhe dy të tjerë të asistuar në tetë javë të luajtura.
Mitaj ulet në stol, por trajneri Blank nuk miratohet
Mario Mitaj u la jashtë listës të shtunën nga Lorent Blank, ndërsa Al Itihad priti Al Nasr në kampionat. Diçka e tillë ishte paralajmëruar më parë, për shkak të limitit të lojtarëve të huaj që lejohen në skuadër. Dhe Mitaj ishte një ndër të përzgjedhurit e trajnerit francez. Zgjedhjet e Lorent Blank dje nuk kanë rezultuar të duhurat. Kampionët e Arabisë u mposhtën në shtëpi nga pretendentët e Al Nasr (0-2). Golat e Ronaldos dhe Manes vendosën fatin e takimit që në pjesën e parë. Pas katër javësh të luajtura Al Nasr merr kreun i vetëm me 3 pikë më tepër se Al Itihad. Kjo nuk është hera e parë, që Mitaj mbetet jashtë listës për këtë shkak. 22-vjeçari ndërkohë mbetet mjaft i vlerësuar për krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa numëron 26 paraqitje me klubin arab.
Gripshi kryegolashënues në Astana të Kazakistanit
Nazmi Gripshi po kalon vitin më të mirë në karrierën e tij në radhët e klubit të Astana në Kazakistan, teksa është kthyer në golashënuesin më të mirë të kampionatit atje me ekipin që kryeson renditjen i shkëputur nga ndjekësit. Në duelin e sotëm ndaj Okzhtepes, Gripshi ka qenë autori i dy golave për ekipin e tij në suksesin 2-1 në transfertë. Goli i parë erdhi që në minutën e 6 të ndeshjes, nëpërmjet një penalltie të cilën mesfushori shqiptar e shënoi me saktësi. Mundësia u përsërit në minutën e 81-të, me një tjetër gjuajtje nga pika e bardhë. Dhe Gripshi përsëri ishte i akullt, duke dyfishuar shifrat e ndeshjes në favor të ekipit të tij.
Silvio Merkaj gjen golin në Serie B
Silvio Merkaj duket se ka gjetur formën e tij më të mirë në radhët e skuadrës së Sudtirol në Serinë B, pasi në startin e këtij sezoni po bëhet protagonist absolut me golat e tij. Në ndeshjen e sotme ndaj Rexhianës, sulmuesi shqiptar, ka shënuar golin e rezultatit të përkohshëm 2-0 për ekipin e tij në minutën e 26-të të takimit me një veprim sulmuesi qendre të vërtetë. Ky ishte goli i tretë në këtë sezon për 27-vjeçarin, i cili ka regjistruar gjithashtu edhe një asist në atë që është sezoni i tij i tretë në klubin e Serisë B. Para se t’i bashkohej Sudtirolit nga radhët e Virtus Entela në Serinë C, Merkaj kishte ofertë edhe nga Partizani në Superiore, por vendosi të vazhdonte në Itali dhe tashmë duket se ka gjetur rolin e protagonistit në Serinë B.