
TIRANA- Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme, me pretekstin për mbrojtjen e të dhënave, ka vendosur që të klasifikojë si konfidenciale faturat, apo marrëveshjet e fluturimeve të kryeministrit Edi Rama. Ky vendim i Këshillit të Ministrave vjen vetëm disa muaj pasi Dosja.al, raportoi për një udhëtim, që shkonte deri në 36 mijë euro, të kryeministrit Edi Rama në Hagë me charterin Gulfstream Aerospace G-IVSP, të kompanisë turke TC-EMR.
Në dokumentin zyrtar, qeveria ka shtuar një ndryshim të rëndësishëm në funksionet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ), e cila do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e këtyre udhëtimeve dhe për nënshkrimin e kontratave të konfidencialitetit me palët e përfshira.
Po ashtu, çdo institucion që përfiton nga këto shërbime do të nënshkruajë aktmarrëveshje bashkëpunimi dhe konfidencialiteti, për të ruajtur informacionin e konsideruar të ndjeshëm.
“DSHQ negocion kontrata kuadër me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi dhe nënshkruan kontrata konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës. Me çdo institucion, i cili do të marrë shërbimin sipas kësaj shkronje, DSHQ-ja nënshkruan aktmarrëveshje bashkëpunimi dhe konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve, në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës,” thuhet ne VKM-në e publikuar në faqen zyrtare ditën e sotme.
Në një tjetër pikë të këtij vendimi thuhet se Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ushtron funksionin e organit qendror për blerjen e biletave dhe akomodimin në hotele të kryeministrit Edi Rama në shtetet që udhëton. Dhe të gjitha këto, përfshi akomodimin, biletat apo shpenzimet, faturat do të jenë të klasifikuara si konfidenciale.
VENDIMI:
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.34, DATË 7.1.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE DHE TRAJTIMIN E PERSONALITETEVE TË LARTA”, TË NDRYSHUAR Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, si dhe të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.34, datë 7.1.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “ë”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon: “ë) ushtron funksionin e organit qendror blerës për blerjen e biletave në fushën e transportit ajror si dhe rezervimin, blerjen e shërbimeve të akomodimit në hoteleri jashtë vendit dhe siguron shërbimet logjistike shtesë për delegacionet shtetërore jashtë vendit, për Kryeministrinë dhe ministritë. Për Kabinetin e Kryeministrit, institucionin e Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë, këto shërbime i ofrohen në rast se kërkohen prej tyre.
Shpenzimet për kryerjen e këtyre shërbimeve mbulohen nga buxhetet e institucioneve përfituese. DSHQ-ja negocion kontrata kuadër me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi dhe nënshkruan kontrata konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës. Me çdo institucion, i cili do të marrë shërbimin sipas kësaj shkronje, DSHQ-ja nënshkruan aktmarrëveshje bashkëpunimi dhe konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve, në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës.
Detyrat dhe përgjegjësitë e DSHQ-së për përmbushjen e detyrimeve për ofrimin e shërbimeve, si organ qendror blerës të përcaktuar në këtë shkronjë, si dhe tarifat e shërbimit miratohen me vendim të Këshillit Drejtues. Institucionet e lartpërmendura dërgojnë në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare kërkesat për blerje të biletave dhe akomodim në hoteleri, jo më vonë se 15 ditë nga data e udhëtimit. Në raste emergjence dhe të justifikuara me shkrim nga institucioni kërkues, mund të procedohet me kërkesën, e cila duhet të dorëzohet jo më vonë se 5 (pesë) ditë nga data e udhëtimit. Në raste përjashtimore, DSHQ-ja mund të realizojë shërbimin në afate më të shkurtra se më sipër, me miratimin nga titullari i institucionit.”.
2. Pas shkronjës “j”, të pikës 2, shtohen shkronjat “k” ,“l” “ll”, “m”, “n”, “nj” dhe “o”, me këtë përmbajtje:
k) Mbulon funksionet e “Shërbimeve ndaj Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë dhe përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara jashtë vendit”, nëpërmjet drejtorisë përkatëse në varësi të saj;
l) Menaxhon, administron dhe mirëmban godinat qeveritare, që gjenden në listën e inventarit të pronave të paluajtshme të Këshillit të Ministrave, duke përfshirë planifikimin, organizimin funksional të hapësirave, rikonstruksionin dhe mobilimin, sipas nevojave të institucioneve publike;
ll) Inventarizon dhe regjistron pasuritë, që gjenden në listën e inventarit të Këshillit të Ministrave, duke krijuar një regjistër qendror për të gjitha godinat qeveritare, duke përfshirë të dhëna mbi sipërfaqen, destinacionin, gjendjen teknike, vitin e ndërtimit dhe statusin ligjor;
m) Realizon procesin e mirëmbajtjes e të restaurimit në godinat qeveritare që gjenden në listën e inventarit të pronave të paluajtshme të Këshillit të Ministrave, ndërhyrjet kapitale për rikonstruksione e restaurime, si dhe merr masa për sigurinë teknike e mbrojtjen nga zjarri;
n) Harton plane për menaxhimin me efikasitet të energjisë së godinave qeveritare që gjenden në listën e inventarit të pronave të paluajtshme të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim edhe me institucionet përgjegjëse shtetërore dhe kujdeset për integrimin e standardeve ‘green building’;
nj) Ushtron funksionin e organit qendror blerës për blerjen e mobiljeve, arredimin/ambientimin e mjediseve të punës dhe përfaqësimit për llogari të Kryeministrisë, ministrive si dhe të përfaqësive diplomatike të akredituara jashtë vendit. Për institucionin e Presidencës dhe Kuvendit të Shqipërisë, këto shërbime i ofrohen në rast se kërkohen prej tyre. Administron, mirëmban dhe restauron mobilje dhe objekte dekorative me vlerë historike dhe artistike që përdoren nga institucionet shtetërore, duke krijuar një fond kombëtar mobiljesh dhe objektesh dekorative (koleksion shtetëror);
o) Kryen procedurat e ankandit publik për shitjen e mobiljeve dhe objekteve dekorative të amortizuara e të panevojshme dhe merr pjesë në ankande për blerjen e mobiljeve dhe objekteve dekorative me interes historik, artistik dhe estetik, duke respektuar rregullat, procedurat dhe përjashtimet e legjislacionit në fuqi;”.
II. Funksioni i DSHQ-së për blerjen e biletave në fushën e transportit ajror si dhe rezervimin, blerjen e shërbimeve të akomodimit në hoteleri jashtë vendit, i shtuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, do të zbatohet duke filluar nga data 1 janar 2026. Deri në atë datë, institucionet e përmendura në atë pikë duhet të kryejnë vetë procedurat përkatëse dhe brenda datës 10 dhjetor 2025 të dërgojnë pranë DSHQ-së të gjitha nevojat e tyre për periudhen 1 janar 2026 dhe në vijim. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. KRYEMINISTRI EDI RAMA
Udhëtimet charter të kryeministrit Edi Rama janë bërë pjesë e debatit politik prej vitesh për shkak të një marrëveshjeje të diskutueshme me Air Albania dhe kostove të paqarta.
Të paktën prej vitit 2020, shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit të kryeministrit mbulohen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila ka lidhur një marrëveshje me kompaninë ‘Air Albania’ për të marrë me qira një aeroplan ‘Airbus A319-100′. Aeroplani i konfigurimit ‘Vip’ mund të akomodojë deri në 32 pasagjerë.
Sipas të dhënave që ka bërë më herët publike Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, kjo e fundit faturohet nga Air Albania për 25 orë fluturimi në vit dhe pjesën tjetër “marrësi i shërbimit e përfiton me tarifë zero”.
Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare pretendon gjithashtu se paguan afërsisht 2450 euro për orë fluturimi të kryeministrit ose gjashtë herë më pak se vlera mesatare e tregut për një fluturim charter. Por vetëm disa muaj më parë Dosja.al raportoi në mënyrë ekskluzve se kryeministri Edi Rama udhëtoi drejt Hagës me një charter luksoz të linjës turke ‘TC-EMR’. Vetëm një fluturim i tillë sipas tarifave standarte të publikuara nga vetë kompania kushtonte deri në 36 mijë euro. Dosja.al pyeti kryeministrinë si dhe kompaninë turke në lidhje me pagesën, por nuk adresën e redaksisë nuk erdhi asnjë përgjigje.