
Dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 5 në Tiranë janë pezulluar nga detyra, pasi në rrjetet sociale u publikua një video ku shihen duke komunikuar në mënyrë joetike me një qytetar.
Ngjarja ndodhi në zonën e Kamzës, por nuk janë të qarta rrethanat e plota të përplasjes verbale, as roli i qytetarit që filmoi skenën.
Pas publikimit të pamjeve, drejtuesit e Policisë së Tiranës kanë urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të dy efektivëve, me inicialet H. I. dhe L. A. Po ashtu, është nisur një hetim disiplinor ndaj tyre për shkelje të rëndë të etikës, në bazë të ligjit “Për Policinë e Shtetit”.
Policia njoftoi se materialet për këtë rast janë referuar edhe në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
“Pas publikimit të një video-je në rrjete sociale, në të cilën shfaqen 2 punonjës policie, duke komunikuar pa etikë, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka urdhëruar pezullimin nga detyra të të 2 punonjësve, përkatësisht Inspektor H. I. dhe Inspektor L. A., oficerë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 5. Gjithashtu, në zbatim të nenit 121 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor, për 2 punonjësit, për shkelje të rëndë”, thuhet në njoftimin e policisë.