
Një aksident fatal ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 19 tetor 2025, në qytetin Asiago të Italisë, duke shkaktuar vdekjen e tre të rinjve rreth moshës 20 vjeç.
Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi rreth orës 03:30, në rrethrrotullimin e Via Verdi, në provincën e Vicenzës. Një Peugeot 207, me pesë pasagjerë, humbi kontrollin dhe u përplas me shatërvanin në qendër të rrethrrotullimit. Përplasja rezultoi vdekjeprurëse për tre prej tyre, të cilët humbën jetën në vendngjarje. Viktimat ishin banorë të komunave Lusiana Conco dhe Creazzo.
Dy të rinjtë e tjerë, të moshës 21 vjeç, u plagosën; njëri ndodhet në gjendje kritike në spitalin e Bassano del Grappa, me dëmtime të rënda në kokë dhe trup, ndërsa tjetri ka marrë lëndime të lehta.
Hetimet paraprake dhe pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë se automjeti udhëtonte me shpejtësi të lartë, kaloi një ishull trafiku pa respektuar përparësinë, goditi një shenjë rrugore dhe më pas u përplas me shatërvanin.