‘Nuk ka mbaruar asgjë, është vetëm fillimi’; Bare premton

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Keidi Bare deklaroi se është një ëndërr e bërë realitet kualifikimi në finalet e Europianit “Gjermani 2024”. Përsa i përket sfidës me Ishujt Faroe, ai tha se synimi është vetëm fitorja për ta mbyllur të parët në Grupin E.

Kujt ia dedikoni këtë sukses dhe sa kanë ndikuar dëmtimet në formën tuaj?

Është një arritje shumë e madhe, për ne është një ëndërr e bërë realitet, por mbi të gjitha nuk duhet të ndalemi vetëm këtu, pasi kemi edhe gjëra të tjera. Që në fillim kur kemi folur me trajnerin në Barcelonë më ka motivuar shumë dhe na ka dhënë shumë besim si ekip dhe si grup. Çdo gjë ka ndryshuar dhe ka ndryshuar për mirë, duke nisur nga Federata që ka bërë një punë shumë të mirë. Ne tani kemi një fushë ku të stërvitemi, kemi palestrën tonë, ndihemi dhe jemi shumë komod dhe kjo është falë tyre dhe duhet t’i falenderojmë pasi këto kushte për ne janë diçka shumë e mirë. Dëmtimet i kam kaluar dhe me thënë të drejtën më kanë lënë pak mbrapa, por do të vazhdoj të punoj fort për të arritur atje ku isha dhe mbi të gjtha për të ndihmuar ekipin.

A po e besoni vërtetë atë që keni bërë?

Unë e kam ëndërruar shumë këtë arritje që kur isha i vogël, por jo vetëm unë i gjithë ekipi Kombëtar, pasi është diçka unike për ne, për popullin tonë. Ia kemi dalë me sukses, me besim dhe me punë, por mbi të gjtha me mbështetjen e tifozëve. Edhe kur kemi luajtur jashtë vendit, ata kanë qenë prezent dhe për ne janë si një lojtar i 12-të.

Sa mundësi ka që Shqipëria të bëjë diçka më shumë në Europian dhe jo të kënaqet vetëm me pjesëmarrjen?

Nuk ka mbaruar asgjë, ky është vetëm fillimi për ne dhe nuk duhet të ndalojmë këtu ku jemi, pasi e kemi kaluar fazën e kualifikimit dhe duhet të mendojmë për më lartë. Na pret një ndeshje të hënën, që është e rëndësishme, pasi duam të qëndrojmë në krye të grupit. Shpresojë që edhe në të ardhmen ti bëjmë gjërat kaq mirë sa tani.

Ndryshimi me trajnerin Silvinjo?

Tani kemi një grup shumë të mirë, trajneri dhe stafi teknik na kanë ndihmuar jashtëzakonisht për të bërë një grup shumë të fortë dhe solid si jashtë dhe brenda fushe, që të jemi një. Futbolli është sport kolektiv dhe trajneri ka futur frymën e grupit dhe ne ia kemi dalë pasi rezultatet janë në favorin tonë.

Dikush duhet të mbesë jashtë grupit dhe kjo është pjesa më e vështirë?

Kjo është diçka e vështirë, sepse të gjithë lojtarët që trajneri ka grumbulluar janë shumë të mirë dhe e meritojnë të jenë, por kjo pjesë i takon trajnerit dhe jo mua.

A keni pasur kohë për festë apo keni menduar për ndeshjen e radhës?

Festë ishte ajo që bëmë me tifozët tanë në Moldavi dhe tani jemi të përqendruar vetëm te ndeshja e radhës. Nuk është e thjeshtë, pasi ata dinë të mbrohen shumë mirë dhe janë shtatlartë. Synimi jonë është vetëm të fitojmë ndeshjen dhe ta mbyllim sa më mirë këtë edicion kualifikues.

Cili është kundërshtari i preferuar në Europianin e Gjermanisë?

Nuk kam asnjë kundërshtar të preferuar. Duhet të mendojmë dhe të shikojmë vetëm veten tonë, pastaj nuk ka rëndësi kë do të kemi kundërshtarë.

Scroll to Top