Superylli portugez fitoi lejen e planifikimit për të ndërtuar një hotel ekskluziv CR7 me 151 dhoma në zemër të Manchesterit, në dhjetor 2020, por ndërtesa e renditur në klasën II është lënë ashtu gërmadhë.
Hoteli duhej të hapej këtë vit, duke punësuar mbi 900 njerëz dhe shtuar 60 milionë euro në ekonominë lokale. Megjithatë, prona historike është ende e braktisur, sikurse në dy dekadat e fundit. Fotot tregojnë tavanet e ekspozuara dhe bojën që zhvishet nga muret.
Leja 3-vjeçare e planifikimit skadoi në fillim të këtij muaji, më 16 dhjetor, por nuk është tentuar asnjë punë në pronë. Një zëdhënës i grupit të hoteleve “Pestana”, partneri i hoteleve të Ronaldos, pranoi për “The Sun” se projekti është pezull: “Hapat e ardhshëm të projektit janë në pritje, pasi grupi është ende duke punuar për çështjet e lejeve”.
Aksionet e ish-yllit të Manchester United, Ronaldo, kanë rënë në mënyrë dramatike në këtë qytet, me fansat të irrituar pas intervistës së tij fatale me Piers Morgan, ku kritikoi klubin. Kjo intervistë e detyroi të largohej për tek Al Nassr në Arabinë Saudite.
Kishte gjithashtu çështje të vazhdueshme që grupi i investitorëve nuk kishte marrë fondet e nevojshme. Projekti është një sipërmarrje e përbashkët midis “Pestana” dhe zhvilluesve “Eastern Green”, të quajtur “Southern Green Properties”.
Prona ka qenë në një gjendje të rrënuar prej vitesh, por vlera e saj dukej se kishte ndryshuar, kur Ronaldo mori dritën jeshile për të ndërtuar aty një hotel futuristik 11-katësh.
Megjithatë, këshilli i qytetit ka qenë i frustruar që nuk ka pasur kurrë ndonjë shenjë të fillimit të punës. Marka CR7 e Ronaldos tashmë ka hotele në “Time Square” të New York, në atdheun e tij Madeira, Lisbonë, Portugali dhe Madrid.