JiL.al - Jeto i Lumtur

Duka pranon se suksesi i Kombëtares ka rritur vlerën

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Përfaqësuesja jo vetëm e realizoi objektivin e saj për kualifikim në Europian, por do të mund të shtojë të ardhurat për futbollin shqiptar pasi janë rritur kreditet e saj në treg, plus që UEFA shpërblen kombëtaret sipas nivelit të suksesit. Ndërkohë, president i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë për revistën “Monitor”, analizon efektet komerciale të kualifikimit të Kombëtares në Europianin e Gjermanisë. “Ndikimi është në maksimumin pozitiv. Është një ligj i vjetër (i pashkruar) në marketingun sportiv, siç na ka mësuar më tej edhe përvoja e Europianit 2016: Skuadra që fiton, shet, madje dhe me lehtësi. Ajo që ka qenë e veçantë kësaj radhe është që Kombëtarja u rrit dukshëm, në performancë dhe rezultate, ndeshje pas ndeshjeje. Kualifikimi erdhi bindshëm, si një rezultat i ndërtuar me eksperiencë, pjekuri e duke punuar fort çdo ditë. Erdhi edhe falë vizionit që kemi pasur dhe objektivave strategjikë që kemi vendosur prej kohësh, të shoqëruara me investime të rëndësishme dhe infrastrukturë moderne. Gjithashtu, fitorja me kundërshtarë të fortë edhe në fushën e tyre nuk ishte më një habi, kështu që tifozeria u gjallërua dhe entuziazmua ndjeshëm hap pas hapi. Në këto kushte është e natyrshme që njerëzit të duan të vijnë në stadium, të blejnë bluza apo të ndjekin Kombëtaren dhe lojtarët në televizor, por edhe në mediat sociale”, theksoi Duka.

Shpenzimet e Kombëtares në Gjermani do hanë një pjesë të fitimeve

Më tej ai analizoi konkretisht se nga do vinin shpërblimet dhe se si do të shpërndaheshin ato. Për të një pjesë e mirë e të ardhurave do të shkojnë për akomodimin e Kombëtares në “Gjermani-2024”, shpenzime që nuk do të jenë të pakta. Por ekipi pritet të fitojë miliona euro nga pjesëmarrja në fazën finale të Europianit. “Sigurisht, që ne presim të mësojmë zyrtarisht shpërblimin që UEFA do të na caktojë për kualifikimin në finalet e Euro 2024, në një kohë që UEFA jep shpërblim edhe për fitoret në vazhdim. Ndërkaq, të ardhurat e tjera, që janë direkte edhe ato, por nga të tjera burime janë për t’u llogaritur në potencial në këtë moment, pasi duhet parë si do të reagojë tregu në numra. Mund të bëjmë ama parashikime mbi këtë dhe të flasim për objektiva. Federata gjeneron mesatarisht çdo sezon të ardhura të caktuara, siç janë edhe kontratat sipas sezoneve kualifikuese. Objektivi ynë është që këto të ardhura të dyfishohen në periudhën që na paraprin. Ajo që duhet të kemi parasysh këtu është që në një kompeticion të madh siç është Euro 2024, edhe shpenzimet janë të konsiderueshme, të paimagjinueshme për tregun tonë. Mund t’ju them se një pjesë e mirë e shpërblimeve që marrim nga kualifikimi për në finalet e Kampionatit Europian do të përdoren pikërisht për të mbuluar shpenzimet e pjesëmarrjes në këtë turne madhor. Një pjesë e vlerave janë ato më lart, por të ardhura të tjera do të vijnë nga përqindjet që do të fitohen nga bluzat që do të shesë kompania “Macron”, si dhe nga kontrata të reja që do të lidhen, nga rritja e biletave të shitura. Por tani nuk mund të parashikohen saktësisht. Nisma të tjera do të organizohen për të pasur një shërbim më të mirë për tifozët dhe publikun”, përfundoi Duka.

Scroll to Top