Gjykata Turke miraton ekstradimin e Dritan Rexhepit në Shqipëri

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Turqia ka miratuar ekstradimin në Shqipëri të Dritan Rexhepit, i cili u arrestua në Stamboll në muajin Nëntor të vitit 2023.

Aprovimi është dhënë nga gjykata turke, ndërsa gjatë kësaj jave pritet miratimi nga ministri turk i Drejtësisë.

Ky fakt u pohua sot në Gjykatën e Posaçme nga avokatja e Rexhepit, e cila ishte në seancën për paraqitjen e provave ku Dritan Rexhepi është i pandehur për rrembimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Dritan Rexhepi, është një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Për Dritan Rexhepin Interpoli kishte lëshuar Kodin e Kuq, si një nga personat më të kërkuar ndërkombëtarisht, teksa në Shqipëri ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshi këtu vrasjen e policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi, si dhe porositjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.

Nga Italia kërkohej si kreu i një organizate të fuqishme që merrej me trafikun e kokainës nga vendet latine drejt Europës.

Dritan Rexhepi ka qenë më parë i burgosur në Ekuador, vend ku ishte i përfshirë në trafikun e kokainës.

Scroll to Top