JiL.al - Jeto i Lumtur

Thellohet bilanci, ja sa ka shkuar numri i viktimave në Gaza

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Më shumë se 30.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej fillimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – që nisi para pesë muajve, thanë zyrtarët shëndetësorë në këtë territor.

Rritja e numrit të viktimave erdhi pasi, sipas dëshmitarëve, trupat izraelite shtinë mbi një turmë të njerëzve që po prisnin për të marrë ndihmë humanitare në Gaza City, duke i vrarë qindra dhe plagosur shumë të tjerë, raporton Associated Press.

Së paku 104 njerëz u vranë në turmën ku palestinezët u rreshtuan për të marrë ndihmë, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, Ashra fal-Qidra. Rreth 760 u plagosën, tha ai.

Kjo luftë i ka detyruar 80 për qind të popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorë të ikin nga shtëpitë e tyre, ndërsa zyrtarët e OKB-së thonë se një çerek i popullsisë po vuan urie.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës – e cila tha të enjten se numri i përgjithshëm i palestinezëve të vdekur nga kjo luftë në këtë territor ka arritur në 30.035, ndërsa 70.457 të tjerë janë plagosur – nuk bën dallim mes luftëtarëve dhe joluftëtarëve në llogaritjet e saj.

Izraeli thotë se i ka vrarë 10.000 pjesëtarë të Hamasit, pa dhënë ndonjë dëshmi.

Ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e nisur si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor në Izrael, ka shkaktuar rrënim të madh në Gaza City, duke e izoluar atë nga pjesa tjetër e territorit tash e shumë muaj, duke bërë që shumë pak ndihma të futen brenda saj.

Lufta e ka shkaktuar një katastrofë të madhe humanitare në Gazë dhe ka nxitur shqetësime globale për situatën në Rafah, qytetin jugor të Gazës përgjatë kufirit me Egjiptin, ku 1.4 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga bombardimet e përditshme izraelite.

Lufta nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje./REL

Scroll to Top