Kujtojmë se më 21 nëntor të 2023, Gjykata nxori nga qelia Malltezin, duke ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e SPAK e cila kërkoi kthimin në burg të dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Gjatë seancës së sotme Gjykata ka vendosur mospranimin e rekursit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila më 22 dhjetor të vitit që lamë pas, kërkoi kthimin e Malltezit në qeli.
Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha, akuzohet për veprën penale korrupsion lidhur me privatizimin e Kompleksit Partizani.
Më herët Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi kërkesën e Jamarbër Malltezit, i cili kërkoi kthimin e celularit, kompjuterave dhe disa dokumentave që iu sekuestruan në kuadër të hetimeve për aferën e privatizimit të kompleksit Partizani. Malltezi ka përfituar sipas SPAK, 5.4 milionë euro apo rreth 7 miliardë lekë, me favorizimin e Berishës si kryeministër asoj kohe sa i takon kompleksit Partizani.