JiL.al - Jeto i Lumtur

Euro sërish në pikiatë, prek nivelin më të ulët në tre muaj

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Kursi i këmbimit Euro-Lek i është kthyer përsëri rënies në dy javët e fundit. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, të martën Euro u këmbye me 103.29 lekë, niveli më i ulët që prej 20 dhjetorit të vitit të kaluar.

Që nga fillimi i vitit 2024 deri në fillim të marsit, kursi i këmbimit të Euros ishte shfaqur i qëndrueshëm pranë nivelit të 104 lekëve. Megjithatë, me afrimin e fundit të tremujorit të parë, tendencat e mbiçmimit të Lekut po përtërihen përsëri. Kursi i këmbimit Euro-Lek aktualisht paraqitet në rënie vjetore me 9.7%.

Në fakt, një tendencë e ngjashme ndodhi edhe vitin e kaluar, por rënia e kursit të Euros nisi pak më vonë, në javën e fundit të marsit dhe u theksua më tej gjatë muajit prill.

Nëse tendencat e vitit të kaluar do të përësëriten, është e pritshme që rënia e kursit Euro-Lek të vazhdojë më tej gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Mes fundit të marsit dhe fundit të prillit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lek pësoi rënie me pothuajse tre pikë, nga niveli i 114 lekëve, pranë nivelit të 111 lekëve.

Deri tani, të dhënat e tregtisë së jashtme kanë treguar një përkeqësim të bilancit tregtar në mallra. Për periudhën janar-shkurt, deficiti tregtar arriti në 72 miliardë lekë, në rritje me 53% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, bilanci i jashtë në mallra jep vetëm pjesërisht një tablo të ecurisë së pozicionit të jashtë të ekonomisë dhe ka një domethënie gjithnjë e më të ulët për kursin e këmbimit.

Ndërsa historikisht ekonomia shqiptare ka një bilanc deficitar në mallra, ai kompensohet në një masë të madhe nga suficiti nga tregtia e shërbimeve, remitancat dhe nga prurjet e llogarisë financiare, në formën e investimeve të huaja direkte.

Të dhënat e Bilancit të Pagesave publikohen me vonesë në kohë dhe për momentin nuk mundësojnë një vlerësim të saktë. Megjithatë, turizmi besohet se ka vazhduar të japë një efekt pozitiv në flukset valutore hyrëse në ekonomi. Sipas të dhënave të INSTAT, për muajin janar numri i hyrjeve të shtetasve të huaj u rrit me 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Dalja nga sezoni dimëror pritet të sjellë një efekt në rritje të turizmit në ekonomi dhe kursi i këmbimit është një nga treguesit që pritet të jetë më i ndjeshëm ndaj këtyre zhvillimeve.

Vitin e kaluar edhe politika fiskale luajti një rol në shtrëngimin e ofertës së Lekut dhe në mbiçmimin e Euros në kursin e këmbimit.

Nëse dinamikat e shpenzimit të deficitit do të jenë të ngjashme me dy vitet e fundit, gjatat janë që ndikimi në kursin e këmbimit të jetë në të njëjtin kah edhe për këtë vit. Edhe për janarin, buxheti i shtetit ishte në suficit, në vlerën e 15 miliardë lekëve. Duke parë ritmin e ulët të shpenzimeve në fillim të vitit, veçanërsisht të atyre kapitale, gjasat janë që suficiti buxhetor të vazhdojë të zgjerohet për muajt në vazhdim./ Monitor

Çfarë po ndodh? Euro sërish në pikiatë, prek nivelin
Scroll to Top