JiL.al - Jeto i Lumtur

DW: Të gjitha zonat e mbrojtura në Shqipëri, në rrezik

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Kur korrikun e vitit të kaluar motrat Ivanka dhe Tiffany Trump vizituan Shqipërinë me bashkëshortët e tyre, në dy vizita të ndara nga njëra-tjetra, por brenda pak ditësh, lajmi u përhap me shpejtësi dhe ngjalli interesin e të gjithëve. U mendua se dyndja e turistëve që zgjodhën si destinacion kryesisht jugun e vendit, tërhoqi dhe vëmendjen e motrave Trump, vajzave të ish-presidentit amerikan Donald Trump. Por ajo që u pa me më shumë kërshëri ishte pushimi në bregdetin e Jonit të Ivanka Trump dhe bashkëshortit të saj, Jared Kushner, themelues dhe drejtues i kompanisë amerikane “Affinity Partners”, firmë amerikane investimesh. Çifti e kishte vizitën e dytë në Shqipëri, pas të parës në vitin 2021, gjatë së cilës vizituan sërish jugun, vit që përkon me themelin e kompanisë.

Pak ditë më parë Kushner njoftoi në rrjetet e tij sociale se ishte entuziast që po ndante me ndjekësit disa imazhe paraprake të projekteve që ai ka në plan të zbatojë në bregdetin shqiptar. Zonat e përzgjedhura prej “Affinity Partners” janë ishulli i Sazanit dhe Zvërneci, vende që gjenden brenda zonave të mbrojtura në Shqipëri.

Sazani dhe Zvërneci – ‘shënjestra’ e parë
Lajmi ishte surprizë, por pasoi rrëmujën e ndryshimit të Ligjit për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri, që u paralajmërua si rrezik nga ekspertët mjedisorë vendas dhe të huaj. “Ligji 21/2024 lejon ndërtimin e megaresorteve me 5 yje në Zonat e Mbrojtura.

Përveç kësaj me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, lejohet ndërtimi i pothuajse çdo investimi tjetër dhe nuk ka më vija të kuqe, sikundër u tha nga Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit. Tashmë vendimet nuk merren në bazë të planeve të menaxhimit që hartohen nga ekspertët, por nga KKT, i cili është organ politik.

Është hequr nënzonimi në Zonat e Mbrojtura të kategorisë V – “Peizazh i Mbrojtur”. Pra, me ligjin e ri, tanimë mund të ndërtohet në ish-nënzonat qëndrore të këtyre zonave të mbrojtura, që me ligjin 81/2017 ishte e ndaluar. Ligji i ri nuk e mbron më natyrën dhe zonat e mbrojtura në Shqipëri, por është ligji më shkatërrimtar kundrejt ruajtjes së natyrës që është miratuar ndonjëherë nga parlamenti pluralist i Shqipërisë” – analizon për “Deutsche Welle”, Mirjan Topi, inxhinier mjedisi.

Ligji më shkatërrimtar ndaj natyrës
Gabriel Schwaderer, drejtues i shoqatës mjedisore ndërkombëtare ‘EuroNatur’, e cila lobon prej vitesh për mbrojtjen e zonave me biodiversitet të pasur në Shqipëri, thotë se është i shokuar nga ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura. “Laguna e Nartës, së bashku me deltën e lumit Vjosa, është një ndër ligatinat me të rëndësishme të migrimit botëror të shpendëve në Mesdhe. Nëse projekti i prezantuar dhe shkatërrimtar do të zbatohej, kjo do të zhbënte në mënyrë të plotë vlerat e zonës së mbrojtur të Vjosë-Nartës dhe do të jetë një tradhti ndaj natyrës. Kjo zonë e mbrojtur pret 5 specie zogjsh që përbëjnë të paktën 1% të totalit të tyre biogjeografik.

Laguna e Nartës një ndër ligatinat me të rëndësishme të migrimit botëror të shpendëve në Mesdhe
Sipas Konventës së Ramsarit, zona të tilla kërkojnë mbrojtje. Duke qenë se Shqipëria e ka firmosur këtë Konventë, atëherë kjo kërkesë është ende në fuqi. Për më tepër, autoritetet shqiptare e kanë përcaktuar ekosistemin e Vjosë-Nartës si zonë ‘Emerald’ nën Konventën e Bernës. Si rrjedhojë, edhe nëse Shqipëria e ndryshon ligjin, kjo zonë mbetet ende nën mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar”, – thotë për DW kreu i ‘EuroNatur’.

A duhet ta vazhdojë BE-ja agjendën e anëtarësimit me Shqipërinë?
Një tjetër pikëpyetje që ‘EuroNatur’ ngre lidhet me rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. “Pyetja jonë për politikëbërësit e BE-së është: a duhet të vijojë BE agjendën e saj të anëtarësimit, nëse një vend kandidat dukshëm nuk përafrohet me ligjet e BE-së, por përkundrazi ndryshon ligjet e vendit, duke i përkeqësuar ato? Nga këndvështrimi ynë, kjo është një situatë tepër serioze dhe kërkon një mesazh shumë të qartë nga institucionet e BE-së për autoritetet shqiptare”, – thekson Schwaderer.

Scroll to Top