Forcat ajrore ukrainase njoftuan të shtunën rrëzuan 31 nga 34 dronë të lëshuar gjatë natës nga Rusia, ndërsa vendi vazhdon të rimëkëmbet nga sulmi masiv i Moskës ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, të premten.
Ushtria tha se dronët ishin rrëzuar në pjesën qendrore, jugore dhe juglindore të Ukrainës.
Megjithatë, punonjësit e sistemit energjitik janë ende duke punuar për të rikthyer rrymën elektrike për disa familje, një ditë pasi Moska kreu atë që Kievi e cilësoi si sulmin më të madh ndaj rrjetit elektrik të vendit, që nga nisja e luftës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shkroi në një postim në Telegram se në rajonet më të prekura ishte bërë i mundur rikthimi i energjisë, por se situata vazhdon të jetë e vështirë në rajonin e Kharkiv, i cili u godit rëndë.
Autoritetet thanë se banorët e qytetit Kharkiv, si dhe rajonit perëndimor Khmelnytskyi, ishin ende pa energji.
Sulmi rus la të vrarë së paku pesë persona, ndërsa më shumë se 1 milion banorë mbetën pa energji.
Një nga sulmet e së premtes ndërpreu një nga dy linjat e energjisë që furnizonin termocentralin më të madh bërthamor në Evropë në Ukrainën juglindore, atë të Zaporizhzhias.
Të shtunën në mëngjes, dy persona u vranë dhe shtatë u plagosën nga sulmet ajrore ukrainase në rajonin Belgorod të Rusisë, tha guvernatori Vyacheslav Gladkov.
Një sulm i kryer gjatë natës nga Ukraina në rajonin Samara të Rusisë shkaktoi një zjarr në një rafineri të madhe nafte.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të shtunën se forcat e saj kishin marrë kontrollin e fshatit Krasnoye në rajonin Donetsk të Ukrainës.