Turqia po përgatitet për fillimin e një operacioni të gjerë kundër rebelëve kurdë që e ushtrojnë aktivitetin e tyre nga Iraku.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është zotuar t’i japë fund kërcënimit nga grupi rebel kurd, PKK, që ka luftuar kundër Turqisë prej dekadash.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, Ankaraja po përpiqet ndërkaq të fitojë mbështetjen e Bagdatit dhe Teheranit.
Prej dy vitesh, forcat turke kanë bërë operacione ushtarake në vendin fqinj Irak, kundër bazave të PKK-së, që lufton për të drejtat e pakicës kurde në Turqi prej dekadash.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan zotohet tashmë se do t’i japë fund njëherë e mirë kërcënimit nga PKK-ja dhe aleatët e tyre në Sirinë fqinje.
“Do të veprohet gjatë ditëve në vijim ndaj objektivave të PKK-së përgjatë kufirit me Irakun prej 300 kilometrash.
Duke siguruar kufirin me Irakun, Turqia pritet të krijojë një korridor të ri sigurie prej 40 kilometrash, të ngjashëm me atë në Siri”, thotë Mesut Casin, këshilltar i presidentit turk dhe njëkohësisht profesor në Universitetin Yeditepe të Stambollit.
Ankaraja mori një mbështetje të mëtejshme këtë muaj në luftën kundër PKK-së, kur Bagdadi e shpalli të jashtëligjshëm këtë grup kurd.
Presidenti turk Erdogan po krijon lidhje të ngushta me drejtuesit e qeverisë rajonale gjysmë-autonome të Kurdistanit, në Irak. Analistët thonë se një bashkëpunim i tillë është jetik për objektivin e Ankarasë për të eliminuar plotësisht rrezikun nga PKK-ja.
“Turqia do të përqendrohet tek kapacitetet e forcave irakiane të sigurisë, së bashku me forcat Peshmerga të qeverisjes rajonale kurde. Dhe Turqia dëshiron të bëjë një rrethim të plotë të të gjithë anëtarëve të PKK-së në Irak dhe t’i shkatërrojë ata, t’i neutralizojë ata”, thotë Murat Aslan, nga Fondacioni për Studime Politike, Ekonomike dhe Sociale.
Presidenti turk Erdogan pritet të vizitojë rajonin gjysmë-autonom Kurdistan, si dhe Bagdadin, ku PKK-ja pritet të jetë temë qendrore.