I armatosur me pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, arrestohet 36-vjeçari në Lezhë.
Sekuestrohen arma e zjarrit, municion luftarak dhe 2 automjete të këtij shtetasi.
‘Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut dhe i punës së inteligjencës policore, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kalibri”.
Gjatë operacionit, në rrugën e Kunes, Shëngjin, shërbimet e Policisë ndaluan për kontrolle, automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin Xhon Sari. Nga kontrollet, këtij shtetasi iu gjet 1 armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, gati për qitje.
Më tej, nga kontrollet në një automjet tip “Golf”, në rrugën “Fran Ivanaj”, Shëngjin, gjithashtu në pronësi të këtij shtetasi, u gjetën 18 fishekë të tjerë.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xhon Sari 36 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme’, njofton policia.