JiL.al - Jeto i Lumtur

12-vjeçari vrau shokun e klasës dhe plagosi dy të tjerë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Flamujt janë valëvitur në gjysmështizë në të gjithë Finlandën sot, ndërsa vendi mban zi për vdekjen e një nxënësi 12-vjeçar i cili u vra dje në një sulm me armë në shkollën e tij. Policia tha se vrasja ishte kryer nga një nxënës i klasës së gjashtë.

Dy nxënës të tjerë të shkollës Viertola, në Vanda, në veri të Helsinkit, po ashtu të moshës 12-vjeçare, janë plagosur rëndë në sulmin e djeshëm.

Policia në Finlandë tha sot se motivi i sulmit të djeshëm ishte frikësimi.

“I dyshuari gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se ka qenë objektiv i bullizmit dhe ky informacion është konfirmuar edhe në hetimin paraprak policor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas rrjetit televiziv finlandez MTV uutiset, 12-vjeçari kishte veshur një maskë dhe  kufje kundër zhurmës kur filloi të qëllonte. I mituri nuk do të burgoset sepse është nën 15 vjeç dhe për rrjedhojë nuk mund të mbajë përgjegjësi penale, sqaroi kreu i hetimit për çështjen, Markos Sarkas.

Një nga dy fëmijët e plagosur është një vajzë nga Kosova, thuhet në një postim në Facebook nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

Qeveria u bëri thirrje sot finlandezëve të mbajnë një ditë zie dhe urdhëroi që flamujt në ndërtesat publike të ulen në gjysmështizë në shenjë zie për fëmijën që humbi jetën.

Kryeministri i vendit Petri Orpo tha se ishte “thellësisht i tronditur” nga incidenti, duke shtuar se mendimet e tij ishin për viktimat, prindërit e tyre, nxënësit e tjerë dhe mësuesit.

Scroll to Top