Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Izraelit për një hetim të shpejtë lidhur me sulmin që shkaktoi vdekjen e shtatë personave në Gazë që punonin për organizatën bamirëse “World Central Kitchen” të themeluar nga kuzhinieri me famë botërore Jose Andres, tha të mërkurën Departamenti i Shtetit.
Zëdhënësi Matthew Miller tha në konferencën e zakonshme të shtypit. Se Izraeli duhet të vendosë masa më efikase për të mbrojtur punonjësit humanitarë dhe të gjithë civilët në terren.
“Nuk ka rëndësi se si u bë gabimi. Përfundimi është se shtatë punonjës ndihmash që ndodheshin atje për të dhënë ndihmë humanitare humbën jetën. Pra cilado qoftë arsyeja që çoi në këtë tragjedi, cilido qoftë gabimi që u bë nga Forcat Izraelite të Mbrojtjes, ajo që ndodhi është e papranueshme”, tha Miller.
Presidenti Joe Biden do të zhvillojë një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të enjten, tre ditë pas sulmit që shkaktoi vdekjen e punonjësve të ndihmave, tha një zyrtar amerikan.
Shtëpia e Bardhë thotë se zoti Biden është i indinjuar dhe tej mase të trishtuar nga sulmi, por presidenti nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për Izraelin.
Punonjësit e ndihmave u vranë kur autokolona e tyre u godit menjëherë pasi kishin marrë pjesë në shkarkimin e 100 tonëve ushqime të sjellë në Gazë nga deti.
Ushtria izraelite shprehu “dhimbje të thellë” për incidentin dhe kryeministri Benjamin Netanyahu e quajti atë të paqëllimshëm. Ushtria tha se një organ ekspertësh i pavarur dhe profesional do të hetojë mbi vdekjet e tyre.
Por Andres i tha agjencisë Reuters të mërkurën se sulmi izraelit që shkaktoi vdekjen e punonjësve të ndihmave, i kishte vënë në shënjestër ata “në mënyrë sistematike, nga makina në makinë”.
Andres tha se organizata bamirëse kishte pasur komunikim të vazhdueshëm me ushtrinë izraelite, për të cilën ai tha se i dinte lëvizjet e punonjësve të saj të ndihmave.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Miller tha gjithashtu se sulmi që shkaktoi vdekjen e punonjësve të ndihmave nuk do të ndikojë në planet e SHBA-së për të përgatitur një port lundrues që do të lehtësonte ndihmën për Gazën nga deti.
Lufta prej rreth gjashtë muajsh ka krijuar mungesa kritike ushqimore mes 2.3 milionë palestinezëve të Gazës që në disa zona janë përtej niveleve të urisë, thonë Kombet e Bashkuara./Zëri i Amerikës