JiL.al - Jeto i Lumtur

Pas gjashtë muajsh, ja çfarë po ndodh me luftën e Izraelit në Gaza

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Në muajin e gjashtë, lufta mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë gjendet në një udhëkryq. Forcat izraelite nuk kanë arritur të eliminojnë Hamasin, apo të lirojnë personat që vazhdojnë të mbahen peng. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein, disa analistë thonë se lufta mund të përshkallëzohet më tej.

Mediat izraelite njoftuan se Izraeli do të blejë 40 mijë tenda për të evakuuar palestinezët nga qyteti Rafah, përpara ofensivës së planifikuar tokësore.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha këtë javë se Izraeli ka caktuar datën për ofensivën në qytetin Rafah në Gazën jugore.

Analistët izraelitë thonë se edhe pa këtë ofensivë, lufta gjashtë mujore me Hamasin është në udhëkryq.

“Mund të jetë përshkallëzim drejt një lufte rajonale, për shkak të Iranit, për shkak të Hezbollahut dhe do të zhvendoset nga Gaza drejt veriut, nga një luftë e kufizuar në Gazë drejt një lufte rajonale, ose mund të ulen tensionet në një proces që mund të ulë luftimet dhe të zgjidhë disa nga problemet. Përballemi vërtet me ditë kritike”, thotë Amos Yadlin, ish-drejtor i zbulimit ushtarak izraelit.

Hamasi në Gazë dhe Hezbollahu në Liban janë organizata të mbështetura nga Irani dhe zoti Yadlin thotë se tensionet me Iranin janë rritur së tepërmi që kur sulmi izraelit vrau një gjeneral të lartë iranian në Damask muajin e kaluar.“Izraeli përpiqej të mos godiste iranianë. Por që nga 7 dhe 8 tetori, kur Irani hodhi në sulm kundër Izraelit organizatat që mbështet në Liban, Siri, Jemen dhe Irak, atëherë Izraeli e ndryshoi politikën e tij dhe në këtë rast duket si një goditje e madhe ndaj Iranit”, thotë zoti Yadlin.

Janë shtuar edhe kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit për krizën humanitare në përkeqësim në Gazë. OKB-ja thotë se mbi një e katërta e popullsisë së Gazës është në prag të urisë. Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut i tha kanalit televiziv BBC se ka të dhëna që Izraeli po e përdor urinë si mjet lufte.

“Ndëshkimi kolektiv që u shpall së bashku me rrethimin është një krim lufte dhe duhet trajtuar si i tillë”, tha Volker Turk, Komisioner i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Izraeli thotë se problemi është me shpërndarjen e ndihmave dhe se nuk mban përgjegjësi për këtë.

“Po futen mjaftueshëm ndihma. Problemi qëndron tek shpërndarja. Është një problem shumë themelor që e shohim. Dhe mendoj se këtu duhet të pyesim se ku janë organizatat e OKB-së, ku janë organizatat e shoqërisë civile, ku janë njerëzit që duhen për t’i shpërndarë këto ndihma”, thotë Michal Hatuel Radoshitzky, analiste e sigurisë me kompaninë MIND Israel.

Egjipti ka organizuar bisedime mes Izraelit dhe Hamasit për vendosjen e një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve, ndërsa ekzistojnë pikëpamje të kundërta për shanset që këto bisedime të dalin me sukses./VOA

Scroll to Top