JiL.al - Jeto i Lumtur

Bardhi letër BE-së për mandatin e Olta Xhaçkës

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Grupi Parlamentar i PD-së i ka dërguar një letër Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian lidhur me mandatin e deputetes, Olta Xhaçka.

Në letrën e adresuar nga Gazment Bardhi thuhet se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, duke i dhënë mbrojtje politike nga drejtësia, është konsideruar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike si dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet.

Bardhi e konsideron të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhacka, duke penguar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetutese.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon që ndërkombëtarët si nxitës të Reformës në Drejtësi dhe si garant të çuarjes përpara të zbatimit të kësaj Reforme pa devijime të papërshtathme, të mos e kalojnë këtë veprim në heshtje.

NJOFTIM PËR SHTYP I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

“Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhacka, duke i dhënë mbrojtje politike nga drejtësia, është konsideruar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike si dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet, si dhe një mesazh i qartë i vullnetit politik të mazhorancës socialiste për cimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, përmes ofrimit të mbrojtjes politike ndaj deputetëve të mazhorancës.

Përmes një shkrese zyrtare Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka informuar për këtë cështje Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi Oliver Varhelyi, eurodeputeten Isabel Santos, që është Raportere për Shqipërinë në Parlamentin Europian, si dhe gjithë Trupin Diplomatik të Akredituar në Tiranë. “Në cdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor. As Kuvendi dhe asnjë institucion publik nuk mund të shpall sovranitetin përkundrejt vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të rrënonte parimin kushtetutes të balancës dhe kontrollit mes pushteteve, duke vënë në pikëpytje vetë ekzistencën e shtetit, sepse do të merrte tiparet e qarta të një puci kushtetutes” .

Kujtojmë se në seancën e 11 prillit, socialistët votuan kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Vetëm 39 deputetë të opozitës mbështetën me votë dërgimin e çështjes së ish-ministres së Jashtme në Kushtetuese, ndërkohë që 72 deputetë të mazhorancës për të dytën herë dolën në mbrojtje të deputetes socialiste olta Xhaçka duke votuar kundër.

Qëndrimi i mazhorancës u mbrojt nga Klotilda Bushka, ndërsa ai i opozitës nga Gazment Bardhi

Ndërkohë që vetë deputetja socialiste Olta Xhaçka sqaroi se nuk e ka shkelur Kushtetutën pasi asnjëherë nuk ka përfituar fonde apo pasuri publike, as ajo dhe as familjarët e saj.

Në janarin e vitit 2023 Gjykata Kushtetuese vendosi që parlamenti duhet të çojë çdo kërkesë për mandatin e deputetëve në këtë gjykatë. Por pas votimit të sotëm e vetmja zgjidhje që ka grupi parlamentar i PD është t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese.

Scroll to Top