JiL.al - Jeto i Lumtur

E drejta për informim vijon të mbetet problem në Shqipëri

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Në Shqipëri e drejta për informim është në stanjacion prej disa vitesh, raportojnë gazetarë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare, për Zërin e Amerikës. Gazetarët po ndeshen me forma të reja të mosdhënies së informacionit të kërkuar nga autoritete publike, ndërsa marrja në rrugë gjyqësore bëhet gjithnjë e më e vështirë nga tejzgjatja e proceseve, si pasojë e problematikave që ka sjellë Vetting-u në sistemin e drejtësisë. Ata hasin më së shumti pengesa në rastet kur informacioni lidhet me akte korruptive dhe përdorimin e fondeve publike.

Një raport i fundit i qendrës Res-Publica që monitoron prej 10 vitesh zbatimin e të drejtës së informimit në Shqipëri, vlerëson se nuk ka përparime të dukshme në këtë drejtim. Gazetarët, kryesisht ata investigues, ndeshen me vështirësi në marrjen e informacioneve nga institucionet zyrtare, kur bëhet fjalë për përdorimin e parave publike. Dorjan Matlia, drejtues i qendrës, në një konkluzion të përgjithshëm jep këtë panoramë.


“ Përsa i përket reagimit të institucioneve pasi u shkon një kërkesë për informacion, zakonisht në 2/3 e rasteve për çdo informacion që u kërkohet, gazetarët marrin përgjigje pas kërkesës fillestare. Nuk e marrin për 10 ditë siç e parashikon ligji por shkon 23-24 ditë kalendarike, pra do të thotë rreth dyfishi i kohës. Nga ana tjetër 1/3 e kërkesave shkojnë tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit. Një pjesë e mirë marrin përgjigje te Komisioneri, por megjithatë mbetet rreth 2% e kërkesave për informacion, që megjithëse duket një shifër e vogël, nuk marrin përgjigje. Janë pikërisht ato pyetje të nxehta që bëjnë gazetarët investigativë për prokurime, konçensione, leje ndërtimi apo leje mjedisore, aty ku mendohet që niveli i korrupsionit është më i lartë, që nuk marrin përgjigje. Këto janë

raste që shkojnë në gjykatë”- shprehet për Zërin e Amerikës Dorian Matlija, Drejtor Ekzekutiv i qendrës Res Publica.

Edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit i tha Zërit të Amerikës se problematikat më të mëdha lidhen me menaxhimin e fondeve publike. Rreth 1 mijë ankesa në vit mbërrijnë në këtë institucion dhe ndërhyrja e tij bën që në 70% të rasteve kërkesat për informacion të plotësohen menjëherë nga autoritetet. “Por ka dhe fenomene të tjera kur e drejta për informim dëmtohet nga institucionet publike”- thotë ai.

“ Një fenomen tjetër, që nuk ndihmon në këtë drejtim është dhe ndryshimi i shpeshtë i koordinatorëve për të drejtën e informimit në institucione. Përveçse është humbje nga ana profesionale paraqet një kosto të vazhdueshme. Ndërrimi i tij pasi ka bërë trajnimet tona, pasi është trajnuar pranë shkollës së administratës publike dhe zëvendësohet pa asnjë arsye objektive, pa asnjë shkak të arsyeshëm e dëmton të drejtën për informim”- thotë Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit.

Gazetarët thonë se po përballen me forma të reja të përpjekjes së institucioneve për të fshehur informacionin. “Në një kohë kur informacioni përhapet me shpejtësi dhe konkurenca është e madhe- thotë Aleksandra Bogdani gazetare e Birn (Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative), -institucionet në rastin më të mirë, kthejnë përgjigje në fund të afatit prej 10 ditësh”.

“Është një trik, që institucionet e ndjekin gjithnjë e më shumë tani. Kthejnë përgjigje ditën e dhjetë, për të mos u përballur me penalitete të ligjit, por përgjigjet janë gjithnjë e më shumë defiçitare për sa i përket vlerës së informacionit, që ato japin”- argumenton për Zërin e Amerikës Zonja Bogdani, gazetare e Birn.

Ndërsa Klodjana Kapo, drejtuese e Faktoje.al, organizatë verifikuese e fakteve, thekson se institucionet publike i shmangen intervistave për marrjen e informacionit të kërkuar, dhe preferjonë përgjigjet me shkrim, të cilat nuk janë të plota.

Scroll to Top