Prokurori i Elbasanit, Durim Bedini është ndarë papritur nga jeta pas një komplikacioni shëndetësor. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë njofton ndarjen sot në mbrëmje, nga jeta të prokurorit të Prokurorisë Elbasan, zotit Durim Bedini, pas një komplikacioni akut shëndetësor.
Ngushëllimet e përzemërta nga gjithë anëtarët e Këshillit i shkojnë bashëshortes dhe gjithë rrethit të tij familjar. Zoti Bedini ishte një prokuror karriere me një eksperiencë të gjatë në disa prokurori të Republikës. Me ndarjen nga jeta të tij, sistemi humbi një prokuror me integritet të lartë moral dhe professional”, njoftoi KLP.
Bedini u konfirmua në detyrë në tetor të vitit të shkuar gjatë procesit të vettingut ndaj tij. Bedini mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figures, si dhe nuk u evidentuan probleme domethënëse në kriterin profesional. Durim Bedini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si prokuror në vitin 1995. Në vitin 2008 ai u transferua nga Elbasani në Kavajë, ku ka mbajtur dhe pozicionin e drejtuesit. Pas miratimit të hartës së re gjyqësore dhe bashkimit të Prokurorisë së Kavajës me atë të Durrësit, Bedini u rikthye sërish në Elbasan, ku dhe e vijon detyrën.