Një djalë në moshë ende të mitur, ka mbetur i plagosur pasi u godit me thikë në rrethana që momentalisht janë të paqarta.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr 2 të qytetit jugor bregdetar, raporton noa.al. I plagosuri është një djalë 16 vjeç kurse autori një 14 vjeçar që pas aktit kriminal u zhduk nga vendngjarja.
Policia e Shtetit e kontaktuar nga noa.al tha se adoleshenti është plagosur me mjet të mprehtë në pjesën e kraharorit.
Raportohet se i mituri P. L, 16 vjeç, bamor i qytetit të Sarandës, ka marrë plagë thike edhe në njërën dorë.
Adoleshenti u dërgua në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Në një informacion zyrtar, policia lokale tha se sonte rreth orës 20:40, në lagjen nr. 2, Sarandë, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, një shtetas i mitur 14-vjeçar ka goditur me mjet prerës një 16-vjeçar, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë po kontrollojnë zonën me qëllim kapjen e autorit dhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes