Klodiana Lala zbuloj sot përplasjen mes grupeve kriminale në Elbasan.Erion Alibej arriti të krijonte një aleancë me Nuredin Dumanin, sot i penduar i drejtësisë, i cili ka zbardhur shumë nga ngjarjet më të bujshme kriminale.Dëshmitë në dosjen hetimore tregojnë arsyet sepse u vranë vëllezërit Haxhia disa muaj më pas në Durrës.
Edhe pse Nuredin Dumani, rrëfeu se ai vetë kishte marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Andi Zylyfit, kushëririt të Alibej.
Por tashmë që kishte kuptuar që Talo Çela e kishte vënë në pozicion qitje, ai kishte vendosur të hidhej në krahun e armikut të ish-mikut të tij.
Ndërkohë që Alibej nga krahu i tij, për të arritur qëllimin madhor, eleminimin e plotë të grupit që qëlloi mbi njerëzit e afërt, mbylli një sy dhe vendosi një gur në zemër, duke u bashkuar me Nuredin Dumanin.
Edhe pse për ta nuk kishte rëndësi radha, një nga personat kryesorë në listë, që u eleminua ishte Besmir Haxhia dhe vëllai i tij Viktor Haxhia.
Të cilët u ekzekutuan mesditën e 27 Prillit 2020, në vendin e quajtur ‘Tregu i mjeteve’ në zonën e Shën Vlashit në Durrës.
Besmir Haxhia, i cili sipas informacioneve të Alibej, të siguruara tashmë edhe nga Nuredin Dumani, ishte një nga qitësit që qëlluan ndaj kushëririt të tij Andi Zylyfi, që më datë 13 Dhjetor 2019, mbeti i vrarë në rrugën Peqin-Elbasan.
Do të ishin vetë deklarimet në prokurori të Nuredin Dumanit, pas arrestimit të tij, ato të cilat do të tregonin lidhur mbi grupin që qëlloi ndaj Andi Zylyfit dhe shoqëruesit të tij, atë ditë në makinë.
Dhe se si ai u mbajt në vëzhgim për orë të tëra, deri në momentin kur ai doli nga lokali dhe po drejtohej drejt banesës së tij në Peqin.
Ku një ndër personat që ishte truri i këtij atentati ndaj kushëririt të Erion Alibej, ishte Talo Çela.
Ashtu siç kishin rënë dakord edhe më herët, pas atentatit ekzekutorët u shpërblyen në para për krimin që kryen.
Para të cilat atyre ua dha Nuredin Dumani, sipas porosisë që i kishte lënë Talo Çela.
Do të ishte ky rrëfim, që do të shpjegonte për grupin hetues edhe arsyet e vrasjes së vëllezërve Haxhia disa muaj më pas në Durrës.
Si edhe personazhet e përfshirë në këtë atentat.
Besmir Haxhia që mesa duket kishte një rol aktiv në krime të ndryshme, por që njëkohësisht kishte shkuar shumë lart në goditjen e tij.
Pa e kuptuar se ky do të ishte fundi i tij.
Grupi hetues arriti që nëpërmjet kqyrjes së telefonit të njërit prej viktimave Besmir Haxhia, të identifikonte edhe një nga personat që kishte marrë pjesë në organizimin e këtij atentati.
Ky person do të ishte Klevis Alla, që kishte shërbyer si informator për Nuredin Dumanin dhe që ishte përdorur prej këtij të fundit, për të mësuar lëvizjet e pjesëtarëve të grupit, që Erion Alibej, i donte medoemos të vdekur.
Besmir Haxhia, që thuhet se në banesën e motrës së tij në Spitallë të Durrësit, u fsheh makina ‘Mercedes Benz’ që u përdor në krim.
Makinë e cila më pas u çmontua në servisin e Dorian Shkozës.
Nga kqyrja e telefonit të njërit prej viktimave, Besmir Haxhia, u gjend një sms, pa emër të regjistruar që i shkruante: ‘Po të pres te tregu i makinave në Shënëvlash’.
Numër që doli se ishte në përdorim nga shtetasi Klevis Alla, i cili gjatë marrjes në pyetje implikoi përveç vetes edhe shtetasit Nuredin Dumani dhe Talo Çela.
Ndërkohë që Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj deklaruan se në vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia, janë të përfshirë shtetasit Arjan Spahiu dhe Erion Alibej si financues dhe porositës.
Ku ai thotë se për vrasjen e dy vëllezërve, fillimisht ka marrë nga Erion Alibej, shumën 50 mijë euro.
Në rrëfimin e tij të mëtejshëm për grupin hetues, Nuredin Dumani tregoi se pavarësisht se nuk arriti një nga objektivat për të vrarë Altin Ndocin, ai mundi gjithsesi të heqë qafe vëllezërit Haxhia.
Duke përfituar kësisoj edhe pjesën tjetër të parave që Erion Alibej dhe Arjan Spahiu, si fiuancues të atentatit, i kishin premtuar më herët.
Por siç thamë vrasjet e planifikuara nga Erion Alibej dhe Nuredin Dumani, në bashkërendim me njëri-tjetrin, në shenjë hakmarrje për familjarët e vrarë, nuk kishin një rend të përcaktuar kronologjik.
Se kush duhet të ishte i pari që duhej të vritej dhe kush meritonte i fundit të vdiste.
Përpara se të eleminonin vëllezërit Haxhia, të parët që ranë dëshmorë në këtë fushëbetejë të përgjakur, ku Alibej dhe Dumani, kishin bashkuar armët, ishin Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia.
Të cilët më datë 2 Mars 2020, u qëlluan për vdekje nga një automjet ‘Mercedez Benz’ me xhama të zinj, në orën 19.00, në lagjen nr. 14 Nishtulla, në Shkozet Durrës.
Fill pasi Dorian Shkoza kishte mbyllur servisin e tij dhe Anxhelo Avdia sapo ishte ndarë në kafenenë afër servisit me një të njohurin e tij.
Gjë që u konfirmua edhe nga dëshmitarët okularë në vendngjarje.
Të cilët thanë se një makinë ‘Mercedes Benz’ me xhama të errët ndaloi para këmbëve të viktimave.
Dhe nga aty dolën dy persona të maskuar të cilët qëlluan me armë drejt Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias.
Ku një nga financuesit në këtë vrasje del të jetë edhe Arjan Spahiu, kunati i Endrit Alibej, vëllai të vrarë të Erion Alibej, në masakrën e Bradasheshit, në shtatorin e vitit 2018.
Nuredin Dumani thotë se ekzekutimi i Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias u planifikua në marrëveshje me Erion Alibej dhe Arjan Spahiun, të cilët paguan për ekzekutimin e tyre.
Ai tregon se që nga koha kur Klevis Alla i tha të bënte kujdes sepse Altin Ndoci, Talo Çela, Dorjan Shkoza dhe Besmir (Mir) Haxhia kishin vendosur ta vrisnin, ai shpjegon më tej se ishte i interesuar të dinte mbi lëvizjet e Altin Ndocit.
Dhe këtë mendoi ta mësonte prej Klevis Allës, duke e ndihmuar atë t’i kthente një borxh Altinit. Kjo pasi ky i fundit e kishte rrahur Klevisin ngaqë nuk i kishte kthyer paratë.
Për këtë arsye Klevisi ra dakort ta informonte Nuredinin mbi vendndodhjen e Altin Ndocit, por dhe të tjerëve.
Ndërkaq Dumani e bisedoi planin e vrasjes me Eljo Bitrin dhe Henrik Hoxhajn.
Ditën e ngjarjes në makinë hipën Henrik Hoxhaj dhe Eljo Bitri që e drejtonte dhe secili patën nga një pistoletë me vete.
Për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdias, Eljo Bitri dhe Henrik Hoxhaj u paguan nga 35 000 euro. Para të cilat i pagoi Erion Alibej, ndërsa Klevis Alla dhe Asllan Plaku morën shumë më pak.
Por pasi lanë duart me Dorian Shkozën dhe Besmir Haxhian, duke i hequr grupit kundërshtar, ata që ishin foleja e plumbit, dhe njëkohësisht mbaruan punë në Durrës, Erion Alibej dhe Nuredin Dumani i përqëndruan të gjitha forcat në Elbasan.
Aty ku ndodheshin disa prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve më aktivë në ekzekutimin e vëllait të tij, Endrit Alibej.
Ku i pari në listën e gjatë të hakmarrjes së stisur nga Alibej dhe të tijët në këtë qytet, ishte Emiljano Ramazani.
Një personazh shumë i njohur në Elbasan, që njihej për lidhjet e tij me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Personazh të cilin pasi Erion Alibej e vrau, për të hequr çdo dyshim te familja e tij se ai ishte vrasësi, i çoi një mesazh ngushëllimi vëllait të tij.
Në vitin 2021, SPAK ka regjistruar procedimin penal, në ngarkim të Erion Alibej, Xhuliano Hoxhës dhe Euglen Halilit, të akuzuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit.
Ngjarje kjo e ndodhur më datë 20 Korrik 2020 në lagjen ‘28 Nëntori’ në Elbasan.
Si dhe vrasjes së Regis Runaj më datë 29 Korrik 2020 në lagjen ‘Emin Matraxhiu’, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan.
Por siç e thamë edhe më lart për të çuar në vend nderin e tij të përdhosur, Erion Alibej, nuk mund të vepronte i vetëm.
Edhe pse ai kishte paratë për ta çuar deri në fund dinjitetin e tij të humbur, ai duhet që në qëllimin e tij të afronte fillimisht pas vetes disa nga kriminëlët më të stërvitur në të tilla punë.
Si edhe disa nga grupet më të egra që vepronin në zonën e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.
Që për para se kishin fare problem të vrisnin edhe shoku-shokun.
Apo njerëz me të cilët ata thonin se kishin pirë gjak dhe ishin bërë vëllezër.
Hetimet e kryera për këto ngjarje kriminale tregojnë për ekzistencën e disa grupeve të strukturuara kriminale të cilët kanë shtrirje gjeografike kryesisht në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, që karakteristikë të tyre kanë dhunën e egër të treguar në kryerjen e krimeve.
Pjesëtarë të një grupi kriminal të cilët në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe që janë kundërshtarë të njëri- tjetrit.
Një nga këta personazhe që Erion Alibej thirri pranë vetes ishte edhe Nuredin Dumani.
Një nga vrasësit me pagesë më të sprovuar në Shqipëri, në 10 vitet e fundit.
Sot bashkëpunëtor i drejtësisë, pasi në vitin 2022 ra në një pritë të organizuar në kryqëzimin e Papërit, ku edhe mbeti i plagosur rëndë, ndërsa ishte rrugës për t’i bërë atentat një tjetër personazhi të krimit në Elbasan.
Nuredin Dumani, i cili pasi ishte prishur me mikun e tij Talo Çela, edhe ky një nga eksponentët më të rrezikshëm të krimit në Shqipëri, del se kishte lidhur aleancë me Erion Alibej, që edhe ky nga ana e tij kishte nisur gjuetinë ndaj Talo Çelës.
Erion Alibej e donte të vdekur Emiljano Ramazanin dhe për të arritur këtë qëllim ai më ofroi 100 mijë euro.
Po kështu nga Erioni mësuam edhe lëvizjet e Emiljanos, ku për të kryer krimin, dy kallashnikovët dhe makinën ‘Passat’, ne i siguruam vetë në Durrës.
Me organizimin e vrasjes jemi marrë unë, Eljo Bitri, Henrik Hoxhaj, si dhe një person tjetër nga Levani i Fierit, shok i Henrik Hoxhaj, që ai e thërriste ‘Nipçe’.
Pasi siguruam makinën,Erioni më tha që automjetin ta çonim tek magazina e Arben Lazes, në Fushë Mbret.
Henriku më tha se Emiljanon e qëlluan në momentin që po hynte në parkingun e pallatit, pasi kishte lënë palestrën.
Dhe ai që e shkrepi armën mbi të ishte ‘Nipçja’, që e kishte qëlluar me 5 apo 6 plumba me pistoletë TT.