Është arrestuar autori i zjarrvënies së 7 makinave në një biznes në Kamëz mëngjesin e ditës së djeshme, 5 qershor në rrugën “Donald Trump”. Amarildo Saliu, 23-vjeç është vënë në pranga si autori i dyshuar i djegies së 7 makinave në biznesin e dhënies me qira të shtetasit Edjon Hoxha.
Nga kamerat e sigurisë në servisin e Edjon Hoxhës shiheshin dy persona të maskuar me kapuç të cilët kanë hyjnë nga një rrugicë pa ndriçim dhe kaluan në rrjetën në servisin. Në pamje shihej se si një prej tyre ka hedhur benzinë dhe u ka vënë flakën makinave, ndërsa tjetri e ka pritur në rrugicë.
Policia shoqëroi 4 persona, dhe nga marrjet në pyetje rezultoi se autori i cili hodhi benzinën dhe i dogji ishte Amarildo Saliu, i cili edhe vetë punonte me makina të cilat i jepte me qira.
Ndërsa shkaqet nuk dihen ende, Edjon Hoxha i cili kishte vetëm 5 ditë që e kishte hapur biznesin e dhënies së makinave me qira tha se e kanë bërë për konkurrencë dhe se ai nuk ka patur probleme me persona të tjerë gjatë kohëve të fundit.
“Më datë 05.06.2024, rreth orës 04:00, në rrugën “Donald Trump”, Kamëz, ka rënë zjarr dhe janë djegur disa automjete, në një biznes për dhënien e automjeteve me qira. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.