JiL.al - Jeto i Lumtur

Pse makinat shpesh po marrin flakë gjatë vozitjes?

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Vetëm 24 orët e fundit, një makinë mori flakë duke djegur babë e bir që përfunduan në urgjencë me plagë serioze kurse një tjetër mjet shpërtheu në flakë, në ecje e sipër.

Lind pyetja, a jemi ne vozitës kaq të këqij, ose të pakujdesshëm, apo automjetet tona janë të vjetra dhe të keqmbajtura?

Në një servis që ndodhet në dalje të Tiranës, Xh.H., një 34 vjeçar që punon prej vitesh me makinat e përdorura dhe riparimin e tyre, tregon për noa.al se shkaqet kryesore lidhen me moshën e automjetit dhe mirëmbajtjen e dobët të tyre.

Specialisti thotë se zjarri ndodh më së shpeshti në veturat e vjetra me instalime të gabuara.

Për makinat me motor nafte, zakonisht ndodh që në to të bjerë zjarr nëse ka instalim të keq, rrjedhje vaji dhe shpesh problemi është edhe bllokimi i filtrit DP.

Kjo është arsyeja pse temperatura është shshume lartë në tubin e shkarkimit dhe në vetë motorin e mjetit. Nëse ka rrjedhje vaji në të gjithë këtë perimetër, gjasat janë që makina të shpërthejë në flakë.

Në automjetet që punojnë me benzinë, por kanë një pajisje shtesë të instaluar LPG/CNG, instalimet ribëhen, kështu që jo rrallë ndodh që të ketë qark të shkurtër, rrjedhje gazi për shkak të montimeve të këqija të vetë sistemit të gazit, apo dhe tuba të plasaritura që nga vjetërsia, bëjnë që të rrjedhë gazi.

“Kur gjithë kësaj i shtohet një sistem i keq i shkarkimit, probabiliteti që makina të marrë flakë është edhe më i lartë”, thotë punonjësi i servisit.

Duke folur mbi ndërhyrjet që i bëhen mjeteve, specialisti vë në dukje se kur riparimet nuk bëhen nga punonjës të kualifikuar dhe të provuar, telashet që çojnë në flakë janë nga më të papriturat. Kështu, nëse telat varen dhe prekin pjesët metalike të shasisë, motorit ose paketës së marsheve, kjo dëmton instalimin dhe çon në një qark të shkurtër, e më pas në zjarr.

Shumë herë shkaku është tejmbushja e alternatorit, por edhe siguresa e pamjaftueshme në automjet: Në vend të siguresës 10A, vendoset siguresa 20A ose 30A dhe në vend që të funksionojë siguresa, precipiton në flakë.

Një tjetër arsye është kur pronarët e mjeteve, nëse pësojnë defekte apo aksidente, e çojnë makinën në servise elektrout, por jo të gjithë dinë të inspektojnë në detaje nëse instalimi është i dëmtuar dhe nëse është i siguruar që të mos ndodhë zjarr duke prekur pjesët metalike.

Rrezik tjetër evident lidhet me fenerët. Instalimi i keq i tyre shkakton zjarrvënie. Dhe në kushtet kur përdorimi i dritave gjatë ditës është i detyrueshëm si dhe natën, e gjithë kjo i bën një ngarkesë shtesë instalimeve të fenerëve. Këtu konektori më së shpeshti hiqet për shkak të ndërrimit të llambave dhe kështu ndodh dëmtimi.

Dhe së fundi, temperaturat e larta të verës që kemi hyrë, janë rrezik i shtuar për zjarre në mjete.

Shumë njerëz nuk e dinë se në rrugë të përpjeta të vazhdueshme dhe kthesa malore të thepisura, siç janë Llogaraja dhe disa rrugë kryesisht në veri të vendit, kondicioneri duhet të fiket dhe duhet të ulet ngarkesa në motor.

Në të kundërt, ka një mbingarkesë në funksionimin e ventilatorëve për ftohjen e sistemeve të ujit dhe të ajrit të kondicionuar dhe kjo mund të çojë në shpërthim zjarri.

Scroll to Top