JiL.al - Jeto i Lumtur

Analiza, Ervis Martinaj, vrasjet që sollën zhdukjen e 42-vjeçarit

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Vrasja e kundërshtarëve, bëri bashkë disa nga personazhet më të rrezikshëm të botës së krimit. Disa nga liria, disa nga arratia, e disa të tjerë edhe nga burgu, për muaj të tërë punuan për një qëllim. Planifikuan vrasje dhe hodhën miliona për realizimin e tyre.

Atëherë kur rrethi sa vinte e i ngushtohej çdo ditë e më shumë, duket se më shumë se hakmarrja për miqtë e vrarë, ishte frika për jetën e tij ajo që e shtyu Ervis Martinajn të lidhte aleanca nga Veriu në Jug.

Paranoja se mund të ishte radha e tij, e shtyu të ofronte qindra mijëra euro për të eliminuar kundërshtarët.

Emisioni “Gjërat tona” ka theksuar se SPAK ka administruar dhjetëra biseda që Martinaj ka zhvilluar me personazhe që ndër vite ishin dënuar e akuzuar për krime të renda.

Të tillë si Gjergj Cukali, në Tiranë, apo Viktor Imeraj e Satilno Basho në Vlorë.

I konsideruar, ndoshta jo rastësisht si “i forti” i “Myslym Shyrit”, Gjergj Cukali, sot 44 vjeç, ndodhet në qeli, në pritje të një vendimi të Gjykatës së Posaçme. SPAK ka kërkuar që ai të dënohet me 25 vjet burg, për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë dhe grup kriminal.

Deri më sot, ai kishte arritur të “zbuste” edhe drejtësinë. Por kësaj here, duket se as problemi i tij shëndetësore, astma bronkiale, që i dha lirinë nga Gjykata e Lartë në vitin 2017, nuk do ta shpëtojë dot nga qelia.

Përballjet e Gjergj Cukalit me forcat e rendit datojnë hershëm, madje edhe atëherë kur ai supozohej të ishte në burg. Si një ish-i dënuar me 7 vite burg për plagosje dhe dy vepra të tjera penale, në vitin 2004 ai nisi një kalvar ballafaqimesh me togat e zeza, ndonëse rëndësia e krimeve që ai akuzohej në fillim, gjatë seancave gjyqësore sfumohej vazhdimisht.

Këtë herë Prokuroria e Posaçme duket se e ka seriozisht. Ai ndodhet në paraburgim prej 3 vitesh dhe mekanizmat ligjor e shëndetësor që kishte përdorur më parë, nuk i kanë pirë ujë.

Ndërsa Viktor Imeraj, i cili njihej edhe si “i forti” i Vlorës, prej vitit 1999 e deri pak ditë para se të arrestohej më 7 dhjetor 2020, qëndronte në burgun e Lushnjës, pasi ishte dënuar me 25 vite burgim për vrasjen në Durrës të Arben Pajës e Ilir Xhungës, dy miqtë e Lulzim Berishës. Për këto dy vrasje Imeraj ishte dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm, por në tetor të vitit 2018, Gjykata e Apelit Durrës, vendosi dënimin e tij me 25 vite burg. Ky vendim u prish në nëntor të vitit 2023 nga Gjykata e Lartë, që vendosi sërish burgim të përjetshëm për të. Viktor Imeraj konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brrakës, (Gaxhait) i dënuar me burgim përjetë. Aktualisht ai ndodhet në burg.

Nga ana tjetër, Satilno Basho është arrestuar më 17 shtator të vitit 2023, teksa po mbahej nën mbikëqyrje nga dhjetëra forca Policie. Personazhi që po vëzhgohej në Vlorë njihet si vëllai i Tesit, të fortit të Selecinës, Tesilvan Basho. Për herë të fundit ai ishte arrestuar po nga RENEA, bashkë me të vëllain. Për disa vite ata njiheshin si anëtarë të bandës së Llanajve, por tashmë ata kanë krijuar grupin e tyre që mendohet se vete Tesi e drejton nga burgu. Lidhjet e forta që vëllezërit Basho kishin në Polici, bënin që operacionet për kapjen e tyre të dështonin njëri-pas tjetrit. Derisa u arrestuan më 16 tetor të vitit 2019 gjatë një operacioni të befasishëm të RENEA-s.

Operacioni u realizua për arrestimin e Tesit, që kërkohej nga Italia për vrasje. Por bashkë me të kap edhe vëllai i tij, Satilno, që akuzohej për gjobëvenie. Edhe pse u arrestua me qëllim ekstradimi drejt Italisë, Tesilvan Basho nuk u dërgua atje për vuajtjen e dënimit. Drejtësia Italiane solli në Shqipëri dosjen dhe kërkonte që të njihej vendimi me burgim të përjetshëm për të, por Gjykata e Vlorës i njohur vetëm 14 vite burgim. Tesi aktualisht ndodhet në burg, ndërsa i vëllai ishte liruar pak kohë para se të arrestohej.

Por si bashkëpunoi Ervis Martinaj me këta personazhe, që herë pas here orientoheshin nga burgu edhe nga një tjetër personazh i botës së krimit, Emiljano Shullazi.

PLANI PËR TË VRARË VËLLEZËRIT DUKA E MIQTË E TYRE

Për të siguruar informacione në lidhje me vendndodhjen e Leonard Dukës dhe lidhjeve të tij familjare e shoqërore, Ervis Martinaj ka angazhuar kushëririn e tij, djalin e tezes, Kristos Teta. Për ketë qëllim, Teta ka angazhuar në mënyrë konstante një femër, të cilës i ka kërkuar që të krijojë njohje, ta takojë dhe të krijojë lidhje me Leonard Dukën, në mënyrë që ta informojë për vendet që ai frekuenton dhe automjetet që përdor.

Më datë 5 korrik 2020, Kristos Teta njofton Ervis Martinajn që Leronard Duka ka ardhur në Tiranë dhe ka kontaktuar një vajzë me qëllim që ajo t’i nxjerrë në takim dy vajza të tjera. Në vazhdimësi ai i dërgon foto të komunikimeve që ka kryer me një vajzë, e cila mesa duket është në kontakt me Leonard Dukën nëpërmjet Snapchat. Ndërsa 10 ditë më vonë Teta e informon Martinajn se vëllezërit Duka kishin shkuar në Jug bashkë me familjen.

Më vonë i dërgon edhe disa komunikime që kishte kryer me një vajzë në Snapchat e Instagram, e cila i thotë se Nardi është lidhur me një femër dhe se do e takojë. Martinaj i kërkon kushëririt të tij që të mësojë se ku ndodhej Leonardi dhe se ku do të shkonte me atë vajzën.

Martinaj me tej komunikon me Erigers Mihasin në lidhje me planin për vrasjen.

Erigers Mihasi: I kam bërë gati gjërat, kallash dhe pistoletë, por nuk ka dalë sot Leonardi me atë femrën. E kemi shtyrë për nesër. E shtyu që të dalë për darkë me të dhe i ka kërkuar që të marrë edhe një shoqe sepse do jetë bashkë me një shokun e tij. E ka lënë takimin te Selvia me atë vajzën, ndërsa unë me të tjerët jemi pozicionuar tek Oslo dhe po presim informacionin që do na japë ajo shoqja.

Më datë 20 korrik 2020 ka të dhëna që Leonard Duka ka dalë për të darkuar me disa vajza në një restorant në afërsi të Linzës. Vajzat ishin ato që kishte futur kushëriri i Ervis Martinajt me qëllim që të jepnin informacionet e kërkuara. Martinaj komunikon me Kristos Tetën dhe e pyet në lidhje me vajzën që flet me Dukën, duke e këshilluar që të bënte kujdes se mos e shiste ajo.

Kristos Teta: Ty të kemi vëlla, të duam shumë dhe s’kemi rrugë tjetër. Asgjë tjetër nuk më intereson. Kam shumë dëshire që të isha aty që të gjuaja edhe vetë. Uroj që të shkojë mbarë se pastaj iki dhe fshihem në Greqi. Ajo vajza që takohet me Loenardin njeh vetëm një person që quhet Besi, nuk njeh njeri tjetër. Nuk ia kam treguar emrin. I kam thënë që çunat do ta mbajnë mirë.

Ervis Martinaj: Kush është tjetër në tavolinë sot?

Kristos Teta: Është Nardi dhe dy vajzat… Janë të ulur te restoranti i peshkut.

Ervis Martinaj: Me çfarë komunikon ti me atë vajzën? A ka dijeni ajo që Nardit mund t’i gjuajnë?

Kristos Teta: Pardje i kanë thënë hajde te lokali se ishte dhe Leksi (Aleks Ndreka), ndërsa tani janë vetëm në tavolinë dhe janë dy çerra jashtë.

Mbas mesnate Ervis Martinaj e pyet nëse vajza në fjalë do të flinte aty dhe Teta i dërgon foto të komunikimeve në Snapchat, ku ajo i shpjegonte se ishte me Loenard Dukën dhe nuk fliste dot. Ndërkohë Kristos Teta i kërkonte asaj që të shikonte se me çfarë makinash do të largohen dhe ajo i shkruan që Leonard Duka dhe Aleks Ndreka, që në fakt vajza e njihte me emrin Tani, ishin larguar me një “Mercedez ML”. Në vazhdimësi ata planifikojnë mundësinë e vendosjes së një GPS te ky automjet.

Më datë 28 korrik 2020, Ervis Martinaj komunikon me Gjergj Cukalin dhe biseda bëhet në lidhje me Elvis Gaçajn, i cili pritet të lirohet nga burgu dhe Cukali ka planifikuar për ta vrarë në momentin që del nga burgu i Rrogozhinës. Ai i thotë që për këtë ngjarje i nevojitej një makinë e vjedhur, dy kallashnikovë dhe një pistoletë 15-she, që t’ua jepte personave, me të cilët bashkëpunon për kryerjen e vrasjes.

Ervis Martinaj: Le të gjejnë vetë makinë me ardhë dhe ju shtoj 10 mijë euro në pagesë. U jap 160 mijë euro.

Hajde të të jap 200 mijë euro dhe le ta bëjnë vetë sepse kam punë tjetër në dorë, jam duke u marrë me Nardin (Leonard Dukën) dhe nuk kam kohë për të humbur. Po të sjell në Tiranë 200 mijë euro dhe mbaji ti. Nëse e vrasin ju jep 200, nëse nuk e vrasin ju jep 0.

Ne lidhje me realizimin e kësaj vrasjeje, Martinaj komunikon edhe me Erigers Mihasin, të cilit i tregon se do të lirohej Elvis Gaçaj nga burgu dhe i kërkon një makinë për ta përdorur për vrasjen. Mihasi i thotë se nuk kishte makinë gati por mund ta vidhte po atë natë dhe ta bënte gati për realizimin e vrasjes. Ndërsa e informon paralelisht edhe për Leonard Dukën, duke i thanë që bashkë me personin e quajtur Olsi, mund ta vrisnin para se të bëhej një vit nga vrasja e Santiago Malkos.

Një ditë pasi kishin biseduar, Gjergj Cukali shkon në Patok për të takuar Ervis Martinajn dhe në mbrëmje e lajmëron që të nesërmen, datë 30 korrik 2020, në orën 9 pa një çerek, Elvis Gaçaj kishte gjyqin dhe do të vendosej lirimi i tij. Martinaj i tregon që makina ishte gati bashkë me dy kallashnikovë dhe një pistoletë, ashtu siç e kishte kërkuar.

Ditën kur Gaçaj kishte gjyqin, Martinaj i dërgon Cukalit kodin e SKY të Erigers Mihasit dhe i kërkon që t’i bëjë ftesë dhe të flasë me të sepse ai ishte personi që do i dërgonte makinën. Ndërsa i tregon se Erigers Mihasi është shoku i tij i ngushtë, që e ka si vëlla dhe i thotë që është nga Yrsheku. Më tej ata bisedojnë në lidhje me saktësimin e burgut nga do të dilte Gaçaj dhe rritjen e vigjilencës për shkak të një ngjarje të ndodhur në Elbasan Një ditë para dhe frikës se mund të kishte shumë policë në atë zonë.

Atë mbrëmje për të cilën ata flasin, pra më 29 korrik 2020, pranë varrezave të Elbasanit, ishte vrarë Regis Runaj. Për zbardhjen e kësaj ngjarje, Policia pati një angazhim maksimal, edhe për faktin që ishte e dyta në një hark kohor të shkurtër dhe falë këtij angazhimi me forca të shtuara në terren, u arrit edhe arrestimi i autorëve. Dhjetë ditë më pas, në pranga ranë dy persona, Xhulion Hoxha dhe Euglen Halili, që sipas deklaratës zyrtare që Policia e Elbasanit dha në atë kohë, ishin të përfshirë edhe në vrasjen e Emiljano Ramazanit, më 20 korrik 2020.

Dy të dyshuarit u arrestuan mëngjesin e datës 8 gusht 2020, në kuadër të operacionit të koduar “Shkumbini”. Nga hetimet ka rezultuar se ata dhe Regis Runaj mbrëmjen e ngjarjes kanë qenë së bashku. Pasi kanë konsumuar lëndë narkotike në një park në afërsi të varrezave të qytetit ata janë drejtuar për në Elbasan.

Në afërsi të varrezave, Halilaj dyshohet se e ka goditur Runajn një herë me thikë nga mbrapa shpinës dhe më pas e ka goditur edhe 26 herë të tjera duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Megjithatë, pavarësisht forcave të shumta të Policisë në terren, plani i Ervis Martinajt për ekzekutimin e Elvis Gaçajt vazhdon. Madje ai bisedoin me Gjergj Cukalin dhe personat e tjerë, duke u thënë që nëse nuk arrinin ta vrisnin në momentin që ai del nga burgu i Rrogozhinës, do ta vrisnin njerëzit e tij kur Elvis Gaçaj të shkonte në Tiranë.

Gjithashtu i kërkon Cukalit që të marrë me vete edhe Erigers Mihasin, duke i thënë se ai është kamikaz dhe është shumë trim për të gjuajtur. Martinaj i thotë që të porganizojë dy prita, që nëse i ikën të parës, t’i kapë targën e makinës pritës së dytë ku të jenë ata me motor. Për këtë organizim, Ervis Martinaj komunikon edhe me Erigers Mihasin, i cili shprehet i pakënaqur me punën e Cukalit, duke i thënë se i kishte shkuar vetëm me një person, sikur po shkon për plazh. Në vazhdimësi, Martinaj flet me Cukalin, të cilit i thotë që po nisej edhe vetë për të shkuar në Rrogozhinë me një makinë të shpejtë.

Gjergj Cukali: Kam parë që Elvis Gaçajt i kanë shkuar për ta pritur në dalje nëna, gruaja dhe goca. Nëse ai hipën në një makinë me gocën, nuk e vrasim dot se është gjynah fëmija.

Ervis Martinaj: Nëse nuk e bën ti, e bëjmë ne. Nuk dua t’ia di fare. Pse ç’a është koka ime që të bëjë pazar ai by…? Më jep targën se i biem me pistoletë fikse ose përpara se të hipi në makinë.

Cukali i nis targën e makinës, një “Audi” i zi me portobagazh. Nga verifikimet në sistemin e Policisë, targa që iu dërgua me mesazh Martinajt, i përkiste një mjeti tjertër të markës “Dacia”, e regjistruar në emër të një kompanie. Por nga verifikimet që ka kryer SPAK, në lidhje me bashkëshorten e Elvis Gaçajt, rezultonte se ajo ka pasur të regjistruar në emrin e saj, prej më shumë se një viti, automjetin “Audi” të zi, me targat që në fakt i përkisnin një makine tjetër.

Ervis Martinaj afrohet tek burgu i Rrogozhinës dhe takohet me Gjergj Cukalin, i cili ishte pozicionuar përballë derës së burgut.

Gjergj Cukali: Elvis Gaçaj ka dalë nga burgu, është nisur drejt Kavajës. Është ulur mbrapa me gocën, ndërsa gruaja është ulur para bashkë me shoferin. Unë deri në Vorë e ndjek, nuk futem në Tiranë. Pastaj bëj gati personat me motor. Elvis Gaçaj më duket se është ulur nga krahu i shoferit, por nuk jam i sigurt. Po të mos ishte me gocën do e kisha shplarë vetë. Është futur nga rruga e Ndroqit, e kam makinën e tij para.

Ervis Martinaj: Më mirë që nuk e bëmë bashkë me fëmijën se gjynah.

Këto biseda mbështetet edhe nga verifikimet e kryera nga ana e grupit hetimor, pasi rezulton që konkretisht në atë ditë që Martinaj flet me Cukalin për realizimin e vrasjes, Elvis Gaçaj është liruar nga ambientet e burgut të Rrogozhinës.

Të nesërmen, vijon plani për të cilën po punonin paralelisht. Ai për vrasjen e Leonard Dukës. Denis Meta njofton Ervis Martinajn se ishte duke punuar për të gjetur vendndodhjen e Dukës dhe se kishte informacione që lëvizte me një “Audi A8”, të blinduar. Po ashtu po kërkonte edhe vendndodhjen e Altin Gegës.

Altin Gega është një tjetër personazh i skeduar nga Policia e Tiranës për çështje droge, megjithëse emri i tij nuk kishte dalë shumë në skenë si personazhet e tjerë të kësaj dosje. Në shtator të vitit 2022, atij iu sekuestruan 6 prona, njësi shërbimi dhe sipërfaqe toke, në emër të tij dhe të prindërve, që sipas Prokurorisë nuk justifikoheshin nga familja Gega. Në korrik të vitit 2021, Altin Gega u arrestua së bashku me disa persona të tjerë ku u sekuestruan rreth 1.2 kilogramë kokainë.

Madje ata tentuan t’i ikin policisë gjatë operacionit të organizuar për arrestimin e tyre. Në atë kohë Policia kishte dyshime se Gega ka pasur lidhje me grupe kriminale në Tiranë, i fokusuar kryesisht në shpërndarjen e drogave dhe transportin e kanabisit e kokainës. Sipas të dhënave të Policisë, Altin Gega e kishte ushtruar këtë aktivitet edhe jashtë Shqipërisë, si në Itali, Holandë, por më i fokusuar dhe në mënyrë më intensive në Gjermani.

Në periudhën që i referohen hetimet e SPAK, Altin Gega rezulton të jetë një person i afërt i Leonard Dukës, madje vazhdimisht ndodhej në shoqërinë e tij, duke u kthyer edhe në objektiv për t’u vrarë nga grupi i Ervis Martinajt.

Ashtu sikurse në një rast të datës 29 gusht të vitit 2020, kur një person që ende nuk është identifikuar, i shkruan Martinajt dhe i kërkon që ta takojë sepse një prej objektivëve të tyre, që ai i referohet ai i Tufinës, që ende nuk është e qartë nëse bëhej fjalë për Leonard Dukën apo Altin Gegën, kishte ikur në plazh. Për këtë arsye i duhej një makinë për të shkuar atje.

Ervis Martinaj e drejton që të shkojë në rrugën “Myslym Shyri”, në afërsi të zyrave dhe të takojë një person me emrin Niku. Ky person i jep një makinë dhe ai niset menjëherë drejt plazhit. Më tej Martinaj i thotë që të niset fillimisht me këtë mjet pasi në vazhdimësi do i nisin një makinë tjetër.

Ndërsa më 5 shtator 2020, Ervis Martinaj komunikon me Denis Metën dhe i kërkon që të vrasë Altin Gegën, të cilin e quajnë “Tuci”. Këtë ia kërkonte si nder, pasi sipas tij po fliste shumë. Martinaj i ofron 200 mijë euro për vrasjen e tij, duke i thënë se e ka të lehtë që ta gjejë, pasi takohet me të dashurën që banon te “Myslym Shyri”. Për të njëjtën porosi, Martinaj komunikon edhe me Gjergj Cukalin.

Ervis Martinaj: Do të jap një punë për 300 mijë euro, të cilën e mbaron për dy ditë por nuk duhet të merret vesh që jam unë në mes. Këtë radhë nuk ju jap as armë as makinë dhe nëse e bëni këtë javë, ju jap 400. Nëse e bëni brenda muajit, ju jap 300. E kam fjalën për “Tucin” (Altin Gegën).

Cukali i konfirmon që e njeh këtë person dhe bien dakord. I tregon që është në komunikim me një shokun e tij për ta bërë vrasjen, por shoku ndodhet jashtë vendit dhe i duhen disa ditë që të kthehet. Në vazhdimsi Cukali i jep informacione në lidhje me Altin Gegën. I tregon që banon tek “Rruga Ura” dhe që është bërë aksioner në një kompleks pallatesh që po ndërtohet në zonën e Freskut. Të nesërmen Cukali i thotë Martinajt që ka komunikuar me shokun e tij dhe do të niset ai që të vijë për të realizuar vrasjet.

Për të vërtetuar këtë komunikim, SPAK ka kryer verifikimet në sistemin e Gjendjes Civile, nga ku rezulton se Altin Gega banon në rrugën “Myslym Keta”, Njësia Administrative nr.4 dhe korrespondon me zonën e njohur si ish-Ndërmarrja “Rruga Ura”.

Në një bisedë të datës 8 shtator 2020, Denis Meta i tregon Ervis martinajt që do të vijë djali i dajës së tij që ta takojë në lidhje me “Tucin” dhe do ta vrasë pa asnjë lekë. Ndërsa i thotë që nëse do dëshironte që ta respektonte, mund ta bënte, por jo me para. Martinaj i thotë se nëse do ta realizojë vrasjen, atëherë do i dhurojë një apartament 150 metra katror, në mes të Tiranës. Madje do t’ia mobilojë dhe do ta mbajë afër.  Pak ditë më vonë, më 16 shtator, një person ende i paidentifikuar informon Ervis Martinajn në lidhje me vendodhjen e Altin Gegës, duke i thënë se ndodhej pranë një kompleksi në autostradë dhe makinën e ka lënë në lavazh. Sipas tij kjo ishte një super mundësi për të kryer vrasjen.

Ndërsa më datë 19 shtator, Denis Meta e informon Martinajn në lidhje me vendet që frekuenton Erlis Duka, vëllai i Leonard Dukës. I tregon që rri në zonën e ish-Blloikut dhe bën xhiro me makinë, por edhe në këmbë. Ndërsa në lidhje me Leonard Dukën diskutojnë që mund të strehohet në Shijak. Denis Meta e informon që Duka është afruar edhe me Ervin Matën, të cilit i referohen si “boli”. Meta i thotë se ka mundësi t’i gjejë, por i kërkon mbështetje, pasi ka frikë se ngelet në burg dhe s’ka para që të dalë nga burgu.

Gjergj Cukali: Po bëhem gati bashkë me shokun që do të vijë nga jasht dhe do ta kryejmë “Tucin”. Ia kemi gjetur të gjitha vendet. Ia dimë lëvizjet, me kë rri e vendet që frekuenton. Leonard Duka i ka bërë dhuratë një makinë “Golf”.

Ervis Martinaj kishte krijuar bindjen se edhe Elvis Gaçaj, që ishte lidhje e ngushtë shoqërore e Leonard Dukës, ishte i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos. Kjo ishte arsyeja pse Martinaj donte me çdo kusht vrasjen e tij.

Gaçaj është një personazh që për vite me radhë ishte konsideruar me rrezikshmëri të lartë, i arrestuar disa herë më parë, në shumë raste objekt hetimi por edhe objektiv atentatesh me armë e eksploziv. Policia e arresoi dy muaj pas vrasjes së Santiago Malkos, pasi kishte thyer “arrest shtëpie”. Gaçaj u arrestua në tetor të vitit 2019, në Durrës, gjatë një ndjekje policore në bulevardin “Taulantia”, teksa udhëtonte bashkë me mikun e tij, që drejtonte makinën dhe nuk iu bindën Policisë për të ndaluar. Gjykata e Apelit të Tiranës, kishte vendosur ndaj tij masën “arrest shtëpie”. Edhe në momentin e arrestimit në Durrës, Gaçajt iu gjet një pistoletë çeke dhe dy krehra me 26 fishekë, të kalibrit 9 mm. Ashtu si herën e parë, kur u arrestua në prill të vitit 2019 në Tiranë, edhe në arrestimi e fundit Gaçaj ka hedhur armën nga makina, megjithatë është sekuestruar. Për këtë vepër penale ai po kryente dënimin në burgun e Rrogozhinës, ku e pritën për ta vrarë Gjergj Cukali e persona të tjerë, me porosi të Ervis Martinajt.

Elvis Gaçaj ka qenë i dënuar për krime të rënda, vrasje e tentativë vrasje, por i hetuar edhe për trafik drogë brenda e jashtë Shqipërisë. Është dënuar për vrasje në vitin 1992, pasi kur ishte adoleshent vrau me thikë shokun e tij. Duke e goditur në njërën kofshë, i preu arterien kryesore dhe për pasojë bashkëmoshatari i tij gjeti vdekjen në spital. Për këtë ngjarje ai është dënuar me 14 vjet burg, dënim të cilin e ka përfunduar disa vite para se të kthehej sërish në vëmendjen e Policisë. Vetëm pak muaj pasi kishte dalë nga burgu, në vitin 2008 Gaçaj përfundoi sërish në pranga. Më 30 shtator të vitit 2008, Policia e Tiranës njoftonte se kishte kryer arrestimin e tij për plagosjen e një personi më 26 korrik të atij viti.

Përveç arrestimeve të herëpashershme, Elvis Gaçaj u ka shpëtuar edhe disa atentateve. Ashtu sikurse i shpëtoi edhe organizimit të kryer nga Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij në vitin 2020. Në një ngjarje të datës 1 tetor 2015, pranë lulishtes “1 Maji”, në Tiranë, ai mbeti i plagosur, ndërsa u vranë dy miqtë e tij, një vajzë e një djalë. Por për Elvis Gaçajn, ky atentat nuk ishte i pari. Në dy vjet ai u kishte shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, por ndryshe nga ai 1 tetorit 2015, sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv. Në të parin, u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasi tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi shpërthimi i lëndës plasëse nuk u realizua. Ndërsa mbrëmjen e 1 tetorit 2015 autorët e provuan me armë zjarri. Plumbat e nisur për Gaçajn i morën jetën të dashurës së tij dhe 22-vjeçarit që punonte për të. Ai vetë shpëtoi me dy plagë të lehta në shpatull e në dorë, ndonëse në vendngjarje u gjetën 29 gëzhoja. Në makinën tip “BMË”, ku ndodheshin 4 persona, shoqja e viktimës, Aurora Oksian, Eda, shpëtoi pa asnjë gërvishtje. I dashuri i saj, Elvis Gaçaj, që ishte në timon u plagos me dy plumba. Pasagjeri që ndodhej në sedijen pas saj, Kevin Rugova u vra nga dy plumba.

Ervis Martinaj ofron 300 mijë euro për “Doqen”

Hakmarrja për mikun e vrarë, por edhe paranoja se armiqtë po planifikonin ekzekutimin e tij, nuk e linin të qetë Ervis Martinajn. Ai ishte gati të paguante për vrasjen e vrasësit, por edhe të kujtdo që ishte pranë tij. Në këtë rast ai po planifikonte eliminimin e Fatmir Hysenit, i njohur si Doqja. Për këtë ngjarje ai hyn në kontakt me Viktor Imerajn, deri në momentin që ai arrestohet e më pas me Satilno Bashon, vëllain e “të fortit” të Selenicës, Tesilvan Bashos. Ervis Martinaj ofronte 250 mijë euro për Fatmir Hysenin dhe nga 50 mijë për këdo që ishte afër tij.

Sipas dosjes së SPAK, në lidhje me këtë episod duke qartë që Ervis Martinaj është i interesuar për vrasjen e Fatmir Hysenit dhe çdo person tjetër që i vjen në ndihmë etij. Martinaj kishte krijuar bindjen se “Doqja” dhe Leonard Duka, në bashkëpunim me lidhjet e tyre, më 27 gusht 2019 kishin kryer vrasjen e Santiago Malkos, që ishte lidhje e ngushtë e tij. Me qëllim që të merrte hak për vrasjen e Malkos dhe parandalimin e ndonjë ngjarjeje të mundshme kriminale ndaj tij, Ervis Martinaj është angazhuar për vrasjen e Fatmir Hysenit. Për të realizuar këtë vrasje, ai ka kontaktuar kundrejt pagesës Viktor Imerajn dhe Satilno Bashon.

Më datë 30 qershor 2020, Ervis Martinaj komunikon me Viktor Imerajn për organizimin e vrasjes së “Doqes”.

Viktor Imeraj: E kam gjet çdo gjë, për punë ditësh do bëhet siç duhet.

Ervis Martinaj: Kur të duash një fugon ta bëjmë gati plot me sopata e kosa.

Viktor Imeraj: Nëse do t’më duhet do të them, por një makinë pa letra do më bënte shumë punë se atje ka shumë kamera.

Ervis Martinaj: E do makinë për ta djegur apo për vëzhgim?

Viktor Imeraj: E dua për ta djegur se për vëzhgim kam.

Një person i paidentifikuar i ka shkruar Martinajt se Imeraj i ka kërkuar që ta ndihmojë për të kaluar kufirin drejt Maqedonisë dhe të futet nga Kosova pa regjistruar sepse do të kryer një vrasje. Nga ana e Prokurorisë së Posaçme është verifikuar sistemi TIMS për hyrje-daljet e Viktor Imerajt, i njohur edhe me mbiemrin Bajraktari dhe rezulton se ai ka dalë nga territori i Shqipërisë më 16 shtator 2020 nga Qafë – Thana me makinë dhe ka hyrë nga Morina më datë 11 tetor 2020 si këmbësor.

Më 27 shtator, Martinaj komunikon sërish me Imerajn edhe për vrasjen e djalit të xhaxhait të Fatmir Hysenit. Viktor Imeraj i dërgon një fotografi të një personi duke i shpjeguar që ishte kushëriri i Hyesnit.

Viktor Imeraj: Është djali i xhaxhait të “Doqes” (Fatmir Hysenit) dhe në momentin që largohet policia do të mbarojhmë punë (do ta vrasim). Ky është personi që e ndihmon për çdo gjë “Doqen”, i dërgon para dhe bën lëvizje për të.

Ervis Martinaj: Na duhet patjetër por vetëm me kujdes.

Të nesërmen ata bisedojnë sërish për të njëjtin qëllim. Imeraj i komunikon Martinajt se kishte planifikuar që ta kryente vrasjen brenda javës, por e kishte shtyrë pasi në atë kohë pa pasur shumë kontrolle Policie në Vlorë.

Viktor Imeraj: Brenda javës do të mbarojmë punë sa të largohen pak Policia sepse kanë plan masash dhe ka shumë kontrolle.

Ervis Martinaj: Me çfarë merret ky që më nise foto? A e mban veten?

Viktor Imeraj: Ky është personi që ecën për “Doqen”.

Ervis Martinaj: Po babanë e “Doqes” a e gjejmë dot?

Viktor Imeraj: Nuk e ka këtu. E ka shit shtëpinë dhe ka ikur se i jemi futur në shtëpi.

Viktor Imeraj: Ky quhet Armando Hyseni dhe është kushëri i “Doqes”.

Ervis Martinaj: Ne kemi informacion që atë shokun na e kanë vrarë nipat e “Doqes”. A ke dijeni se kush janë nipat e tij dhe Igli Mema e Gentjan Dautaj?

Viktor Imeraj: Këta si tip nipash i ka dhe një tjetër nip që të kam nis foto e ka në Spanjë.

Ervis Martinaj: Kur të bëhet (vritet) çuni i xhaxhait do takohemi vetëm unë edhe ti që të rrimë dhe do të të ndihmoj me çdo gjë që të afrosh njerëz dhe t’i shkrijmë.

Në dosjen e SPAK thuhet se Ervis Martinaj e ka suportuar Viktor Imerajn duke i dhënë informacione që kishte siguruar nga lidhjet e tij në Policinë e Shtetit, me qëllim shmangien nga arrestimet. Më datë 4 dhjetor 2020, Martinaj i dërgon Imerajt disa foto nga komunikimet në “Ëatsapp”, me një punonjës Policie. Nga komunikimet vihet re, që punonjësi i Policisë e pyet nëse e njihte Viktor Imerajn dhe Martinaj i përgjigjej se e kishte shok. Polici i thoshte që ta lajmërojë që të zhdukej pasi po e kërkonin për ta arrestuar dhe të bënte kujdes se ishte në përgjim. Ervis Martinaj e informon Imerajn edhe pse nuk ishin të qartë fillimisht për arsyen pse kërkohej arrestimi i tij. Madje në vazhdimësi i dërgon edhe biseda të tjera që kishte kryer me punonjësin e Policisë, i cili e lajmëronte që ishin duke i ruajtur shtëpinë dhe një makinë “Golf”, që e përdorte vjehrri i Imeajt. Më 7 dhjetor Martinaj i dërgon disa biseda të tjera, ku punonjësi i Policisë i thoshte se kishin shkuar grupe të tjera në Vlorë për të kapur Viktor Imerajn. Në orët e pasdites, nga SKY i Imerajt me Martinajn komunikon një person që i prezantohet si nipi i tij, i cili i tregon se Viktori ishte brenda tek Drejtoria e Policisë së Vlorës, pasi shkoi bashkë me avokatin. Ai i tregonte se e kishin marrë në lidhje me një vrasje të ndodhur në vitin 2005. Të nesërmen, nipi i Imerajt i dërgon foto të vendimit të caktimit të masës së sigurisë dhe i tregon që e akuzonin për vrasjen e Vajdin Lames.

Pas arrestimit të Viktor Imerajn, plani për vrasjen e Fatmir Hyesnit shtyhet për një moment tjetër. Ndërsa disa muaj më vonë, konkretisht më 6 mars 2021, në skenë del një tjetër personazh, po nga Vlora, Satilno Basho. Ervis Martinaj nis komunikimet me të, për të nisur ekzekutimin e planit që mbeti pezull.

Satilno Basho: Nesër mund ta kapim atë që biseduam sepse kemi informacion. Tani në këte moment jam me personat që do të bëjnë (vrasin) “Doqen”. Sa paguan për të?

Ervis Martinaj: Do t’u jap 250 kur të futet “Doqja” në tokë dhe 50 shtesë për këdo që është me të.

Satilno Basho: Do të njoftoj përpara se të dalë në televizor. Është organizuar nga 6 persona, me dy makina dhe 4 gryka zjarr, të gjithë kallash me qyt metalike.

Ervis Martinaj: Rëndësi ka që të dalë me sukses sepse nëse shpëton na humbet dhe nuk e kapim dot më.

Të nesërmen, Basho i bën me dije Martinajt se nuk e kishte realizuar dot vrasjen, pasi “Doqja” e kishte shtyrë takimin.

Satilno Basho: Nuk bëhet dot sot sepse ai nuk vajti atje ku kishte për të vajtur por do të bëhet sepse do shkojnë ta takojnë një djalë dhe ai do të na e japi 100 %. E kishte për të vajtur sot por e ka shtyrë për në fund të javës që vjen.

Për të dokumentuar aktivitetin kriminal të Satilno Bashos, SPAK ka verifikuar edhe komunikimet e tjera që ai ka kryer, ku mes tyre bien në sy komunikimet me Emiljano Shullazin, i cili ndodhet në burg. Nga bisedat Prokuroria ka vënë re bashkëpunimin e tyre me qëllim lokalizimin e Fatmir Hyesnit , Armando Sulejmanit dhe personave të tjerë të lidhur me ta. Nga konteksti i bisedave vihet re që Emiljano Shullazi ka dyshime se këta të dy persona janë përfshirë në vrasjen e Edison Harizajt, ngjarje e ndodhur më 6 nëntor 2018, në Durrës.

Harizaj njihej ndryshe si “Edison Faqedjeguri” apo edhe “Edisoni i 7 pallateve” në Vlorë. Vrasja e tij ndodhi në zonën e plazhit, në rrugën e njohur si ‘Rruga e Çamëve’ dhe nga të shtënat mbeti i plagosur edhe miku i tij, Genci Caci. Automjeti tip “Audi”, në të cilën udhëtonin Edison Harizaj dhe Genci Caci, u qëllua me breshëri kallashnikovi. 39-vjeçari Edison Harizaj ka qenë i skeduar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vend. Ai ka qenë krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe ka qenë i dënuar me 10 vite burg për vrasje. Dënim që e kishte përfunduar në vitin 2010.

Emiljano Shullazi: Njërin duhet ta marrim (marrim peng) që të dimë kush qëllon dhe të dimë se ku të trokasim pastaj. Ku ma gjen dot “Doqen”?

Me Bashon ai shkëmben mesazhe në prill të vitit 2020, duke biseduar edhe për çështje të tjera, siç ishte vrasja e Leonard Dukës, pasi sipas Shullazit do të merrnin pagesë të mirë. Por sipas tij, fillimisht duhej të mbyllte problemet me gjyqin, pasi në atë kohë Satilno Basho ndodhej me masë “arrest shtëpie”.

Emiljano Shullazi: Është ky Nardi Duka nga Tirana, thonë që rri në Spanjë. Kemi çuna që e bëjnë andej? Nuk e di për adresë por po e gjetëm e marrim aty. Mbaro këtë arrestin një herë. Pastaj këtej nga Durrësi të bëjmë ndonjë gjë. Jam dobët me informacionin aty dhe s’po çaj dot, s’po dalin fare pisat.

Nga komunikimet që kryejnë në datat 17 dhe 18 maj 2020, Shullazi me Bashon diskutojnë në lidhje m automjetet, që t’i përdorin në vrasje. Diskutojnë në lidhje me gjetin e një furgoni, ambulance dhe një “Range Rover”, që ta lyejnë me ngjyrë të bardhë, të ngjashme me makinat e Policisë.

Emiljano Shullazi: Duhet kapur ai “Çipuri” (Armando Sulejmani) që të tregojë se kush ka gjuajtur, duhet me e marrë vesh se kush gjuan…. Duhet me e gjet atë që ka gjuajtur vëlla se s’bën. Pra ti thua që “Çipuri” me vëllain e “Buzderrit” (Sokol Sinomatajt) kanë gjuajtur?

Në vazhdim Shullazi e pyet edhe për Durim Bamin.

Emiljano Shullazi: Me atë Durim Bamin, është ai nga Fushë – Kruja, di ndonjë që ka muhabet andej nga Vlora? Se për atë mbushin 1 milion euro. Këtë muhabet e bëj me ty dhe nuk dua që ta marrë vesh njeri ç’a flasim bashkë. Dur Bami të pret në besë duke ngrënë bukë, ai ka 100 hasmër, do bëj festë Policia. As nuk do e kërkojë njeri atë muhabet. Po hiç arrestin një herë, se kam rob unë atje që të afrojë.

Emiljano Shullazi: Mbyll atë gjyqin ti që të jesh vetë në lëvizje për ktej nga Durrësi, apo nuk e kalon qarkun e Vlorës ti? Vëlla Tirana është pak problem, ama sa kalon Casa Italian nuk e rru… kush. Andej nga kam hall unë nuk kalon Policia, vetëm një herë në ditë.

Çfarë del nga bisedat, të paktën deri në këtë fazë hetimesh, janë atentate të dështuara. Disa prej emrave që komunikojnë në SKY, në shërbim të Ervis Martinajt apo edhe të tjerëve, janë vrarë pas periudhës që i referohet SPAK në dosje. Por çfarë duket më me rëndësi, janë siguria me të cilin flasin këta personazhe për ngjarje të caktuara. Për ta disa vrasje dihet se nga kush janë kryer. Ndoshta i di edhe vetë Policia. Megjithatë në dosje figurojnë pa autor. Për personazhet e botës së krimit nuk ka nevojë për prova shkencore që të marrin vendimin e të dënojnë me vdekje përgjegjësit. Por për Policinë e Prokurorinë vetëm indiciet duket se nuk kanë mjaftuar për kaq vite që ato dosje flenë nëpër sirtarë. Ndoshta sot, pas këtyre indicieve të fundit, dalë nga bisedat e botës së errët të krimit të organizuar, mbase SPAK do e ketë më të lehtë t’i kërkojë Policisë plotësimin me prova të reja. Ndoshta sot, pas mijëra komunikimeve në SKY, që janë analizuar e po analizohen, do të hidhet dritë edhe për ngjarjen më të përfolur dy vitet e fundit. Zhdukjen e Ervis Martinajt. Të paktën nga aq sa ai vete ka biseduar me njerëzit e tij, paranoja e tij qëndron. Duket se ka pasur një lloj të drejte. Shumë njerëz, kundërshtarë të tij, apo miq të kundërshtarëve të tij, ishin bërë bashkë për ta vrarë. A ia kanë dalë apo jo? Kjo përgjigje mbase mund të gjendet nga SPAK mes mijëra bisedash të zhvilluara në SKY.

Scroll to Top