Rama: Kandidatët për deputetë nga platforma online

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Një rol kyç për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në parlamentaret e 2025-ës do të ketë platforma online “Deputeti që duam”.

Portali u testua në zgjedhjet e 2021-shit dhe disa prej atyre që u bënë pjesë e listës për deputetë aplikuan në këtë platformë. Por Edi Rama lajmëron se kjo mënyrë e përzgjedhjes së deputetëve të ardhshëm do të jetë vendimtare për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Për zgjedhjet e ardhshme, platforma do të jetë më e gjerë dhe do të parashohë një proces më të artikuluar.”

Në mbledhjen virtuale të Asamblesë Kombëtare të zhvilluar pasditen e kësaj të marte u vendos që Kongresi Zgjedhor i socialistëve të mbahet në 20 Korrik. Në këtë forum do të prezantohet dhe grupi i punës që do të punojë për programin elektoral për mandatin e 4-ërt të socialistëve.

“Kongresi do të duhet të trajtojë një pasqyrë të gjendjes së përgjithshme në vend duke projektuar punën për programin e mandatit të katërt.”

Rama konfirmoi se turi me diasporën i parashikuar për t’u ndalur në Londër dhe më pas në Duseldorf është shtyrë për në Shtator. I pari për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa i dyti për shkak se përkonte me ndeshjen e kombëtares tonë.

“Në Shtator do të rimarrim përsëri turin dhe ndërkohë do të përgatitemi për një takim në SHBA.”

Prej muajsh, partia që qeverisë prej 11 vitesh eshtë futur në proces rienergjizimi që parashikon dhe hapjen e dyerve për anëtarë të rinj. Nga ky proces, sipas Ramës, kartën e antarësimit të Partise Socialiste prej Janarit e kanë marrë rreth 32 mijë qytetarë, nga të cilët 11 mijë të rinj nga mosha 18 deri 30 vjeç. Kryesocialisti siguron se regjistri aktual i forcës që ai drejton, ka 93 mijë anëtarë aktiv.

Scroll to Top