Policia e Kosovës ka konfirmuar se të premten ka konfiskuar sasi të armatimit në pjesën veriore të vendit.
Nga armatimi i prezantuar që është gjendur në veri ka armë të gjata të kalibrave të ndryshme, pistoleta, granata dore etj.
Policia rajonale e Kosovës në Mitrovicë ka dalë me detaje nga aksioni i sotëm për kapjen e armëve ilegale në veri.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se në kuadër të aktiviteteve operative në bashkëpunim me AKI-në kanë arritur të identifikojnë disa lokacione ku ndodhej armatimi i fshehur, nga ish-pjesëtarë të Mbrojtjes Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjskës.
Lokacioni i parë është në veri të Mitrovicës, në afërsi të Tre Rrokaqiejve, ndërlidhet me personin në kërkim, Marjan Radojeviq, ndërsa lokacioni tjetër është në rrugën “Çeta e Minatorëve”, në veri i Mitrovicës që ndërlidhet me subjektin në kërkim Zharko Cvetkoviq.
Në lokacionin e parë janë gjetur tri armë të gjata AK-47, katër karikatorë me 60 fishekë, një krehër me 11 fishekë, një këllëf revoleje, një çantë ushtarake.