Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale amerikane, Donald Trump i është rikthyer fushatës zgjedhore pasi u shpall fajtor dhe u dënua për falsikifikim të regjistrave të biznesit nga gjykata në Nju Jork. Sipas korrespondentit të Zërit të Amerikës, Scott Stearns, në tubimet elektorale në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, zoti Trump është përqëndruar në çështjen e emigracionit, duke kërcënuar shtetet, përfshirë Kinën, me sanksione, nëse nuk i ndalin njerëzit që janë nisur drejt Shteteve të Bashkuara.
Kandidati Trump i është rikthyer fushatës zgjedhore presidenciale, me një tubim zgjedhor në Arizonë javën e kaluar, nga ku deklaroi se Presidenti Joe Biden ka humbur kontrollin në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën.
“E tërë situata është e paqëndrueshme. Por qasja e Bidenit nuk është aksidentale. Është një shkatërr im i qëllimshëm i sovranitetit dhe kufijve tanë. Dikush duhet të na shpjegojë se përse po e lejojnë një gjë të tillë. Me gjasë për shkak të votave”, tha ai.
Nuk ka prova që individët, të cilët nuk janë shtetas amerikanë, po votojnë në zgjedhjet amerikane, të paktën jo në ndonjë masë të madhe.
Zoti Trump u pyet se si do ta ndalonte emigracionin e jashtëligjshëm dhe ai u përgjigj duke thënë se do të veprojë kundër qeverive të huaja që po e ushqejnë atë.
“Nëse Kina apo ndonjë shtet tjetër po sillet keq, kemi masa të quajtura tarifa që janë shumë të rënda”, deklaroi ai.
Gjatë këtij muaji, administrata e Presidentit Biden mori vendim që të bllokojë kërkesat për azil në kufirin me Meksikën, ku kalimet e jashtëligjshme tejkalojnë pragun prej 2,500 kërkesash në ditë.
Presidenti Biden thotë se reforma e nevojshme e emigracionit nuk ka nevojë të përcillet me komentet nxitëse që bën zoti Trump ndaj emigrantëve.
“Ndërkohë që ne luftojmë për një reformë të përgjithshme emigracioni, ai i quan emigrantët dhunues dhe vrasës. Ai thotë se ata nuk janë njerëz. Ai thotë se emigrantët po ‘helmojnë gjakun e vendit tonë.’ Paraardhësi im do një vend vetëm për disa prej nesh. Ne duam një shtet për të gjithë ne.”
Presidenti Biden thotë se retorika anti-emigracion e zotit Trump bie ndesh me parimet themelore amerikane.
“Ju përfaqësoni atë që jemi ne, një komb emigrantësh, një komb i ëndrrimtarëve, një komb i lirisë. Dhe kjo është Amerika jonë e përbashkët.”
Tubimet zgjedhore të zotit Trump javën e kaluar ishin të parat që kur ai u dënua për falsifikimin e regjistrave të biznesit për të fshehur pagesat për të blerë heshtjen e një aktoreje të filmave për të rritur që pretedon se ka kryer marrëdhnie me të, para zgjedhjeve të vitit 2016.
Në një tubim zgjedhor në Nevada ai tha se gjyqi ndaj tij ishte rezultat i keqpërdorimit të sistemit të drejtësisë nga zoti Biden, ndërkohë që po dështon tek çështja e kufirit.
“Ky është kufiri më i keq në historinë e botës. As vendet e pazhvilluara nuk kanë një kufi të tillë. Dhe asnjë shtet i botës së tretë nuk shfrytëzon sistemin për të përndjekur kandidatët politikë siç është bërë tek ne.”
Sipas anketave të zhvilluara nga Associated Press në mars, votuesit po ndryshojnë qëndrim ndaj emigracionit, me rreth një të tretën e amerikanëve që aktualisht besojnë që ekziston rrezik i lartë që emigrantët të kryejnë krime, një rritje me 19 për qind krahasuar me vitin 2017./VOA