Në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut vazhdoi debati lidhur me përbërjen e re të qeverisë. Kabineti i zotit Hristijan Mickovki do të ketë 24 anëtarë, prej të cilëve vetëm tri gra dhe kjo ka hasur në kritika jo vetëm në parlament, por edhe në qarqet e shoqërisë civile. Për miratimin e qeverisë nevojiten 61 vota nga 120 sa ka parlamenti dhe shumica parlamentare i ka votat e duhura.
Dita e dytë e debatit në parlament lidhur me programin e qeverisë së ardhshme dhe emrat e kandidatëve për ministra vazhdoi me përplasje midis ligjvënësve të VMRO-DPMNE-së që do ta drejtojë qeverinë dhe të Lidhjes Social Demokrate, e cila zotohet se do të jetë një opozitë konstruktive.
Akuza të ndërsjella shkëmbyen edhe deputetët e koalicioneve kundështare shqiptare, Fronti Evropian dhe Vlen, kryesisht për atë se kush ka legjitimitetin për të përfaqësuar shqiptarët në pushtetin ekzekutiv.
Emri i shtetit është ndër çështjet që ka zënë vend në debat, teksa eksponentë të Lidhjes Social Demokrate akuzojnë VMRO-në se fitoi zgjedhjet me gënjeshtra dhe mashtrime duke premtuar kthimin e emrit Republika e Maqedonisë sapo të marrë pushtetin.
Në foltoren e parlamentit, pothuaj se të gjithë deputetët maqedonas në veçanti ata të VMRO-së e përdorin referencën ‘Maqedoni’ pa përcaktimin kushtetues që del nga Marrëveshja e Prespës, një çështje kjo që nxit pakënaqësi tek qeveria në Athinë, e cila paralajmëron se do të ndërmarrë masa.
Ndonëse kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski ka lënë të kuptohet se betimin do ta bëjë duke përdorur emrin e ri kushtetues Maqedonia e Veriut, ai gjatë fjalimeve me ngulm i shmanget përdorimit të këtij emri.
Zoti Mickovski ka premtuar se nga dita e martë do të fillojë të sjellë një investim prej mbi 400 milionë eurosh në vend. Por, ekspertët vlerësojnë se nëse kjo ndodh, qeveria do të zhytej në borxhe dhe për rrjedhojë të përshkeqësohej gjendja e vështirë ekonomike në vend.
Një tjetër çështje e debatueshme në parlament është propozimi i të ngarkuarit për qeverinë e re, Mickovski që për ministër të Marrëdhënieve në mes Bashkësive Etnike ta emërojë Ivan Stolkoviçin, një politikan i pakicës serbe me qëndrime proruse dhe i dyshuar nga një pjesë e shtypit për lidhje me shërbimet sekrete serbe dhe ruse.
I mandatuari Mickovski është shprehur para pak ditësh se i besonte zotit Stoilkoviç dhe se ai kishte qëndrime promaqedonase. Ndërsa ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler është shprehur në një intervistë televizive se do të ndiqej me kujdes puna e këtij politikani.
Qeveria e zotit Mickovsksi do të ketë 24 anëtarë, prej tyre vetën tre gra. VMRO-ja do të drejtojë 15 ministri; koalicioni Vlen 6 dhe partia Znam 2 ministri.
Parlamenti, sipas ligjeve duhet të votojë deri sonte në mesnatë për qeverinë e re. Shumica parlamentare i ka 78 vota; 61 nevojiten për miratimin e kabinetit qeveritar./VOA