JiL.al - Jeto i Lumtur

Kredia e re me “sprint” edhe në muajin maj, u rrit me 42%

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Kreditim i ekonomisë vijoi rritjen me ritme të larta edhe për muajin maj. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, muajin e kaluar u disbursuan gjithsej 33.5 miliard lekë kredi e re për ekonominë, me një rritje prej 42% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për të gjithë pesëmujorin e parë të këtij viti, kredia e disbursuar nga sektori bankar arriti vlerën e 150.6 miliard lekë dhe është rritur pothuajse me 37% me bazë vjetore. Kontributin kryesor në rritje vazhdon ta japë kredia në lekë, që për 5-mujorin e parë të vitit pothuajse është rritur me 58% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Pesha e kredisë së re në lekë ndaj totalit ka arritur në 60%, nga 52% që kishte qenë një vit më parë. Sipas segmenteve të klientëve, ndikimin kryesor në rritjen e shpejtë të kreditimit në muajt e parë të këtij viti po e jep biznesi. Shifrat tregojnë se për muajin maj kredia e re për bizneset u rrit me 54% krahasuar me majin e vitit të kaluar. Për të gjithë 5-mujorin 2024, kredia e re për bizneset arriti në 106.6 miliard lekë, në rritje me 58% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Sektori bankar po shfaq një interes të lartë për të kredituar bizneset, veçanërisht projektet e korporatave të rëndësishme, duke përfshirë këtu edhe shumicën e projekteve madhore të partneritetit publik-privat të investimit në infrastrukturë. Për muajin maj, edhe kreditimi i individëve vijoi rritjen e qëndrueshme, me 10% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për pesë muajt e parë të vitit, sektori bankar disbursoi 43.8 miliard lekë kredi për individët, në rritje me 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e shpejtë e kredisë këtë vit po mbështetet në perceptimet optimiste për ecurinë e ekonomisë, që po ruan ritme të kënaqshme të rritjes, e mbështetur sidomos nga sektorët e pasurive të paluajtshme dhe turizmit.

Gjendja e mirë e bilanceve të sektorit bankar dhe nivelet në rënie të kredive me probleme po e ndikojnë pozitivisht ofertën. Një ndikim në ritmet e kreditimit në lekë po jep edhe mbajtja e niveleve të ulëta të normave të interesit nga Banka e Shqipërisë.

Rritja e kredisë është e qartë edhe në ecurinë e portofolit total ose tepricës së saj. Në fund të muajit prill, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 783 miliard lekëve, me një rritje prej 12 miliard lekësh krahasuar me muajin prill. Me bazë vjetore, rritja e kredisë ka kërcyer në nivelin 9.9% krahasuar të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në fund të prillit rritja vjetore ishte 8.5%.

Në segmentin e individëve, portofoli i kredisë është në rritje me 11.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, për bizneset rritja ngelet në nivele pak më të ulëta, me 8% me bazë vjetore. Megjithatë, kjo i detyrohet edhe peshës më të lartë të kredisë në valutë në portofolin e biznesit, që është ndikuar negativisht nga forcimi i mëtejshëm i lekut në kursin e këmbimit valutor. / Monitor

Scroll to Top