Aksi Thumanë-Kashar, Ministria e Infrastrukturës: Pagesa do të jetë 2.1 Euro, zyrtarisht nis ditët në vijim
Kalimi në aksin Thumanë-Kashar do të jetë 2.1 Euro ose ekuivalenca në Lekë sipas kursit të Bankës së Shqipërisë në datën që do nisë zbatimi i pagesës.
Kështu thotë Ministria e Infrastrukturës në një komunikatë zyrtare.
Sipas Ministrisë, aplikimi i kalimit me pagesë në këtë rrugë do të nisë zyrtarisht gjatë ditëve në vijim.
Por deri në atë moment, kompania koncesionare, sqaron Ministria e Infrastrukturës, do të kryejë testime në kohë të ndryshme dhe të kufizuara për pagesën. Kjo do të bëhet me qëllim për të kolauduar sistemin e tolleve.
Në momentin që sistemi i pagesës për kalim në aksin Thumanë-Kashar do të nisë zyrtarisht, publiku do të njoftohet më përpara.
NJOFTIMI I MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË:
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton se sistemi i pagesës për aksin rrugor Thumanë – Kashar do të nisë zyrtarisht në ditët në vazhdim, por publiku do të njoftohet paraprakisht për datën dhe orarin e fillimit të pagesës.
Deri në nisjen e këtij procesi, kompania do të kryejë në segmente të ndryshme kohore, testime të kufizuara të sistemit të pagesës, për të kolauduar sistemin dhe aftësinë përpunuese të stafit. Lidhur me orarin e këtyre testimeve publiku do të njoftohet 24 orë më përpara.
Pagesa për kalimin në këtë aks do të jetë 2.1 euro pa TVSH, ose ekuivalenca e saj në lekë sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në datën e fillimit të operimit të sistemit të pagesës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve gjatë fazës së kolaudimit, pasi ky aks rrugor u hap përpara afatit për t’i dhënë frymëmarrje qarkullimit dhe për të lehtësuar trafikun në akset e veriut si dhe për të ndihmuar qytetarët që qarkullojnë në këto akse.