Helikopteri Cougar dhe rreth 30 efektivë të Forcave të Armatosura janë riangazhuar mëngjesin e sotëm (9 korrik) në operacionin për shuarjen e zjarrit intensiv në fshatrat e bashkisë Dropull. Zjarri po ashtu ka krijuar problematikë edhe në fshatrat Pecë dhe Kardhikaq të bashkisë Finiq.
Policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e zjarrvënies në pyjet e fshatit Frashtan. Në pranga ka rënë M. K, 39 vjeç banor fshatit Frashtan të Dropullit.
Prej mesditës së djeshme, shërbimet e Policisë kanë mbajtur në kontroll perimetrin ku janë përhapur flakët.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë së Gjirokastrës, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, të asistuar nga një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”