JiL.al - Jeto i Lumtur

Macron menaxhon fitoren, zbardhet përmbajtja e letrës publike

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Presidenti francez, Emannuel Macron ka reaguar për herë të parë që prej mbylljes së zgjedhjeve parlamentare në Francë këtë të diel, ku fitues doli Koalicioni i Krahut të majtë.

Asnjëra palë deri më tani nuk ka shumicën qeverisëse dhe për këtë arsye në një letër drejtuar gazetave franceze, Macron bëri thirrje që partitë fituese të nisin diskutimet mbi krijimin e një aleance që do të sjellë formimin e qeverisë së re.

Kreu i Elysee deklaroi se në këto zgjedhje nuk fitoi askush ndërsa bëri thirrje që koalicioni i ardhshëm qeverisës të jetë një bllok republikan dhe jo me parti të të djathtës apo të majtës ekstreme.

“Vendi ka nevojë për një frymë demokratike. Ndonëse e djathta ekstreme doli fituese në raundin e parë të garës parlamentare me 11 milionë vota, ju refuzuat ta bënit atë pjesë të qeverisë në raundin e dytë të votimit. Në këto zgjedhje askush nuk fitoi. Për këtë arsye iu kërkoi të gjitha forcave politike që e njohin veten si institucione republikane që mbështesin shtetin e të drejtës që të bëhen bashkë për të formuar një shumicë solide për vendin.

Ky koalicion duhet të ndërtohet nga ata që e vendosin vendin mbi partitë e tyre dhe kombin mbi ambiciet personale. Nën dritën e këtyre parimeve dhe kur të kemi një koalicion qeverisës do të vendos për emërimin e Kryeministrit të ri të vendit.”, tha Macron.

Macron deklaroi se deri në formimin e qeverisë së re, qeveria aktuale do të vijojë ti shërbejë popullit Francez. Centristët e Presidentit Emanuel Macron të cilët dolën force e dytë në balotazhin e të dielës deklaruan se mund të pranonin të bënin koalicion me të majtën, vetëm nëse partia “Franca e Papërkulur” e Jean Luc Melenchon përjashtohet nga ky grup politik.

Zgjedhjet parlamentare të së dielës në Francë u konsideruan historike, pasi populli i këtij vendi i dha një shuplakë të forte të djathtës ekstreme, e cila deri në momentet e fundit përpara mbylljes së procesit zgjedhor, konsiderohej nga sondazhet si partia fituese.

Scroll to Top