Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me prova të reja kundër ish kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, raporton noa.al.
Bëhet fjalë për 12 dosje/fashikuj të cilat sot iu paraqitën gjykatës dhe mbrojtësve ligjorë të dy të akuzuarve në Gjykatën e Posaçme (GJKKO).
Nisur nga ky zhvillim avokatët kërkuan shtyrje për t’u njohur me provat e mbledhura nga SPAK.
Gjykata ka vendosur që seanca të zhvillohet më 19 korrik.
Në një deklaratë për mediat, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha se janë 12 fashikuj të rinj, të cilët siç tha ai, nga Gjykata i është kërkuar pagesë për të disponuar kopje të tyre.
E ndërsa avokatët e Berishës presin të njihen me provat e reja që sot nuk u bënë publike, SPAK ka shtyrë edhe me 3 muaj afatet hetiimore për rastin e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani.
Për avokatin Gjokutaj, shtyrja e procesit po bëhet qëllimisht.
“Kanë vënë kusht se këto akte mund të merren vetëm përmes pagesës. Nuk është problem dëshire për të paguar, por është problem standardi sepse ligji i ka përcaktuar shpenzimet gjyqësore në fund të gjykimit. Kemi dhe praktikën e Ilir Beqajt që ja kanë dhënë aktet.
Gjykata bën atë që i thotë SPAK, për të zvarritur procesin. Prokuroria ka marrë 3 muaj kohë për hetimet. Janë 12 fashikuj që janë përgatitur përgjatë këtyre dy muajve”, u shpreh Gjokutaj.
Berisha dhe Malltezi janë nën hetim në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani. Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar, ndërsa ka bërë kërkesa të shumta për ndryshim mase sigurie, të cilat janë refuzuar deri tani nga sistemk gjyqësor.