Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado bëri të ditur se, të ardhurat e drejtpërdrejta nga kontributet e personave juridikë dhe fizikë, si dhe të ardhurat e tjera të Fondit të Sigurimeve Shoqërore, në vitin 2023 arritën në rreth 124.6 miliardë lekë, me realizim 100 %, kundrejt planit. Këshilli Administrativ i ISSH-së, zhvilloi mbledhjen e tij të radhës, nën drejtimin e Zëvendësministres së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani.
Gjatë kësaj mbledhjeje u morën disa vendime, ku më kryesori ishte ai i miratimit të rezultatit financiar për vitin 2023. Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado, theksoi se performanca financiare ka rezultuar tejet pozitive, duke konfirmuar jo vetëm mirëadministrimin, por edhe punën e bërë në drejtim të ruajtjes së programuar të shpenzimeve dhe realizimin, sipas programit buxhetit të miratuar nga Kuvendi. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën të ditur se, mbetet i angazhuar për të rritur më tej të ardhurat kontributive, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët, si dhe për të zbatuar politikat reformatore të Qeverisë në fushën e pensioneve.