Dhuna ndaj forcave të KFOR-it, Policia e Kosovës arreston

Editor
2 Min Read

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka arrestuar të mërkurën të dyshuarin me iniciale D.D. në rajonin e Mitrovicës së Jugut, lidhur me sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në maj të vitit të kaluar në Zveçan.

Policia e Kosovës në veri ka konfirmuar se bëhet fjalë për arrestimin e Dushan Drobacit.

Dhuna në Zveçan pati shpërthyer, pasi serbët lokalë patën kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Si pasojë e dhunës patën mbetur të plagosur 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se D.D. – ndaj të cilit është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Speciale – ka përdorur dhunë në mënyrë aktive në Zveçan dhe është i dyshuar për katër vepra penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kreu vepër penale dhe huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Në përvjetorin e sulmit ndaj KFOR-it, më 29 maj, ky mision ka kërkuar që të mbahen përgjegjës të përfshirët në sulmin e vitit të kaluar.

Kosova ka fajësuar Serbinë për ngjarjet në Zveçan, duke thënë se ato janë kryer nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.

Por, Serbia e ka mohuar një akuzë të tillë, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se synonte të shtynte serbët “drejt një konflikti me NATO-n”.

Në Kosovë deri më tani janë arrestuar dhjetë persona për dhunën në protesta dhe për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Aktualisht në Kosovë janë 4.700 pjesëtarë të KFOR-it.

KFOR-i është përgjegjësi i tretë për sigurinë e Kosovës, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX./Rel/

Share This Article
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: J.i.L.al
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *