Ushtria e Ukrainës ka njoftuar se ka sulmuar dhe shkatërruar një nëndetëse ruse ndërsa ajo ishte e ankoruar në një port në gadishullin e Krimesë. Sipas shtabit të përgjithshëm të Ukrainës, nëndetësja sulmuese Rostov-on-Don u shkatërrua gjatë një sulmi me raketa në qytetin port të Sevastopolit.
Thuhet se ajo ishte një nga katër nëndetëset e operuara nga flota ruse e Detit të Zi e aftë për të lëshuar raketa lundrimi Kalibr. Zyrtarët në Kiev thanë se sulmi shkatërroi gjithashtu katër sisteme të mbrojtjes ajrore S-400 që mbronin gadishullin, të cilin Rusia e aneksoi ilegalisht në vitin 2014. Bëhet e ditur se nëndetësja e shkatërruar kishte një vlerë prej 300 milionë dollarë.
“Shkatërrimi i Rostov-on-Don dëshmon edhe një herë se nuk ka vend të sigurt për flotën ruse në ujërat territoriale ukrainase të Detit të Zi”, tha shtabi i përgjithshëm në Kiev në një deklaratë.
Ky sulm thuhet se shënon sulmin e fundit ndaj forcave detare ruse në Sevastopol në muajt e fundit. Vetëm në mars, Ukraina goditi dy anije zbarkimi dhe një anije patrullimi në qytetin port. Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, ajo ka hasur në disa pengesa të mëdha detare. Ukraina thotë se ka dëmtuar seriozisht ose ka fundosur të paktën 15 anije luftarake ruse, duke përfshirë anijen e flotës së Detit të Zi, Moskva.
Javën e kaluar ushtria e Ukrainës tha se Moska ishte detyruar të tërhiqte të gjitha asetet e saj detare nga Deti Azov, për shkak të sulmeve të përsëritura në anijet e saj. Ndryshe, së fundmi dronët ukrainas shënjestruan një aeroport të madh dhe depo nafte në Rusi. Pamjet e publikuara në internet treguan shpërthime të fuqishme dhe zjarre të mëdha, pas asaj që duket të jetë goditje në depo nafte ose municionesh.