Afrojnë zgjedhjet, ç’po ndodh me dollarin dhe euron?

Jil
Jil
4 Min Read

Tiranë- Euro e ka nisur muajin maj në rënie dhe ka arritur nivelet më të ulëta të këtij viti në kursin me Lekun. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 98.2 lekë. Këto vlera të kursit ishin shënuar për herë të fundit në muajin janar të këtij viti, ndërkohë që raportet mes Euros dhe Lekut po i afrohen përsëri niveleve më të ulëta historike, që ishin regjistruar në fund të vitit 2024.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, një rënie e Euros në këto nivele me fillimin e sezonit veror ishte e pritshme. Sipas tyre, kjo rënie i detyrohet një rritje të ofertës valutore në treg, kryesisht për dy arsye. Së pari, fundjava e gjatë ka sjellë fluks të shtuar turistësh nga Kosova e Maqedonia e Veriut, duke sjellë më shumë valutë. Së dyti, historikisht me afrimin e ditës së zgjedhjeve ka një zhvlerësim të monedhës së përbashkët, që mund të lidhet me përdorimin e eurove në fushatë.

Edhe vitin e kaluar, kursi i karakterizua nga një tendencë e mbiçmimit të Euros ndaj Lekut, që u kufizua vetëm prej ndërhyrjeve të paprecedenta të Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në 2024, dujke arritur vlerën më të larta historike. Sasia e valutës së blerë është rritur me 249% krahasuar me një vit më parë.

Me rënien e inflacionit poshtë objektivit prej 3%, Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun valutor për të mos lejuar mbiçmimin e mëtejshëm të monedhës vendase. Pavarësisht ndërhyrjeve, kursi mesatar i këmbimit Euro-Lek vitin e kaluar pësoi një rënie me 7.4% krahasuar me vitin 2023. Gjatë muajit nëntor 2024, kursi i Euros regjistroi edhe nivelin më të ulët historik në vlerën e 98.11 lekëve, ndërsa e mbylli vitin 2024 shumë afër kësaj vlere.

Në mungesë të këtyre ndërhyrjeve, është e qartë se rënia e Euros në kursin e këmbimit me Lekun do të kishte qenë edhe më e madhe. Tendencat e kursit të këmbimit duken të jenë të ngjashme dhe këtë vit. Sipas agjentëve, oferta valutore duket në rritje, megjithëse rritja e turistëve të huaj, të paktën sipas statistikave të deritanishme, është ngadalësuar ndjeshëm. Për 3-mujorin 2025, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga ana tjetër, politika fiskale vazhdon të ketë një natyrë shtrënguese, pavarësisht zgjedhjeve të afërta. Në fund të 3-mujorit, buxheti ishte përsëri në suficit të dukshëm, në vlerën e pothuajse 34 miliardë lekëve, me një rritje të mëtejshme me 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Duke parë tendencat e kursit, do të jetë e vështirë që një rënie e mëtejshme e Euros në muajt e ardhshëm të shmanget, pa ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë.

Paralelisht, Leku është forcuar edhe ndaj valutave të tjera kryesore. Dollari Amerikan ka zbritur në nivelin e 86.6 lekëve dhe ka prekur nivelin më të ulët në 17 vitet e fundit. Rënia e Dollarit në muajt e fundit reflekton kryesisht ecurinë e kësaj monedhe ndaj Euros, si pasojë e tarifave të vendosura nga administrata e Donald Trump

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: J.i.L.al